Platini: Gjermanët, të fortët e Europës

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, do të jetë i ftuar nderi në miqësoren e së mërkurës mes Gjermanisë dhe Francës në Bremen. Në një intervistë ekskluzive për të përditshmen gjermane “Welt”, Platini flet mbi kombëtaren gjermane, eksperiencën e tij kundër tyre, si dhe i thur elozhe kombëtares gjermane duke e cilësuar si më të mirën në Evropë. /albeu.com/

Pjese nga intervista:


Z.Planiti, ju do të vini në Bremen apo jo? Kundër kujt luan Franca?

Ah, po, kundër Gjermanisë…

Kujtime të hidhura?

Pyetja nuk më duket e formuluar mirë. Kam përjetuar trauma nga Gjermania. Në Botërorin 1982 humbëm me penallti ndaj tyre në gjysmëfinale, ndërsa e njëjta gjë na ndodhi edhe në 1986, po në gjysmëfinale. Ishin dy ndeshje dramatike. Ajo e 1982-it ishte një supersfidë. Fati i gjermanëve ishte se gjyqtari nuk ndodhej në formë të mirë, pasi në të kundërt do të fitonim ne. Më kujtohet si sot, skena kur portieri Shumaher shkaktoi faull ndaj Patrik Batiston dhe gjyqtari e kurseu kartonin e kuq dhe penalltinë. Nejse, Gjermania e atëhershme ishte si kjo e sotmja, shumë e vështirë për t’u ndëshkuar.

Ju kishit shansin të luanit në Gjermani…

Po, më kërkoi Borusia Mynshengladbah në vitet 70-të, kur luaja me AS Nansi, por e refuzova. Në atë kohë isha 19 vjeç dhe ndodhi një revolucion, ndaj m’u desh ta lija Francën, ndërsa futbolli gjerman më tundonte.

Si ju duket kombëtarja e sotme gjermane?

Gjermania, për momentin, ka skuadrën më të mirë të Evropës. Ajo ka të rinj me talent dhe mjaft kreativë. Nuk humbën asnjë pikë në eliminatoret. “Pancerat” janë favoritë për Euro 2012 së bashku me Spanjën.

Si është situata për kombëtaren franceze?

Kemi përpara një gjeneratë të re shumë cilësore. Na duhet të formojmë me kujdes një skuadër të re. Kemi dy, tre lojtarë shumë të mirë si Benzema dhe Riberi, ndërsa pjesa tjetër mendoj se do dhe pak kohë të formohet.
Të premten postin e presidentit të federatës e merr Volfgang Niersbah.

Mendoni se është i duhuri, pasi mesa dihet që Cvanciger në 2007 përkrahu kandidaturën e Johansonit në UEFA?

Marrëdhëniet e mira me federatën gjermane janë të domosdoshme për UEFA-n. Bëhet fjalë për një nga institucionet dhe partnerët tanë më të rëndësishëm. Marrëdhëniet e mia me Teo Cvanciger në fillim kanë qenë të vështira. Ai ndihmoi Johansonin pasi influenca e tij bëri që Gjermania të organizonte Botërorin 2006 dhe detyrimisht nderi shpërblehet me nder. Ndërsa me Niersbahun njihem prej kohësh, i përkasim një gjenerate. Mund të them se ai është një njeri praktik.

Si e keni njohur?

Në fillim e kam ofenduar. Në vitin 1990 isha trajner i Francës dhe zhvilluam një miqësore me Gjermaninë, ju teknik kishit Bekenbuerin. Papritmas, Niersbah ndodhej afër pankinës sime. Ai fliste rrjedhshëm frëngjisht, si dhe ia përkthente kajzerit gjithçka thosha unë në pankinë. E vura re dhe i bërtita: Hej ti zarbanik, mos fol shumë! Më pas u njohëm dhe u bëmë shokë.

Po Botërori Katar 2022 në ç’stinë do të zhvillohet?

Katari tashmë është vendi zyrtar. Por, duke qenë se temperaturat në verë shkojnë 50 gradë, jam i mendimit që të zhvillohen në dimër.

Së fundmi, FIFA është përfshirë nga korrupsioni. Nevojitet revolucioni?

Ndryshimet vijnë vetëm nga presidentët. Blatër e ka premtuar këtë gjë. Do ta luftojë korrupsionin dhe do t’i përmirësojë statutet. Do shohim nëse do të realizohet. Nëse jo, atëherë, duhet të presim deri në ardhjen e presidentit të ri në vitin 2015.