Chelsea mbron nderin anglez


Chelsea ka arritur të mbrojë nderin e futbollit anglez në Ligën e Kampionëve, duke arritur të kualifikohet pas vazhdimeve ndaj Napolit, në një ndeshje tejet interesante të zhvilluar në Stamford Bridge.

Ndeshja e parë përfundoi me rezultat 3-1 për Napolin dhe në ndeshjen e dytë Chelsean e priste një mision i vështirë, të cilin Blutë përkundër krizës menaxheriale dhe të rezultateve, arritën ta mbyllin me sukses me rezultat të përgjithshëm prej 5-4 pas një drame të vërtetë.

Pjesa e parë ishte në fillim mjaft e baraspeshuar, me mysafirët të cilët kishin më shumë besim. Napoli shfaqet rrezikshëm me anë të Cavanit, duke kërkuar golin e rëndësishëm.

Sidoqoftë, atë që nuk e bënë mysafirët e bënë vendasit të cilët u kthyen ngadalë në lojë. Një harkim fantastik të Ramires në mënyrë edhe më fantastike e shfrytëzoi Didier Drogba (28’), i cili si vigan kërceu për të shënuar për 1-0 dhe epërsinë e Chelseat.

Në vazhdim të pjesës së parë Chelsea merr edhe më shumë zemër për të shënuar gola, por përkundër rasteve Blutë nuk ia arritën.

Në pjesën e dytë gjërat ndryshuan. Që në fillim të fraksionit të dytë, ikona John Terry realizoi për 2-0 (47’) dhe ringjalljen e kohërave të vjetra në Stamford Bridge.

Sidoqoftë, Napoli nuk u zbraps. Pas një tollovie në zonë ishte Gokhan Inler ai që me një goditje fantastike shënoi për 2-1 dhe rikthimin e italianëve në lojë.

Presioni pas këtij goli në portën napolitane shtohet dukshëm, me Blutë e Londrës të cilët bënë çmos për të shënuar.

Këtij qëllimi ata edhe ia arritën, duke shënuar nga penaltia me anë të Frank Lampard, i cili realizoi për 3-1.

Ky rezultat nuk i përshtatej asnjë prej ekipeve dhe Chelsea ishte ekipi që insistoi me anë të disa rasteve të qind për qindta, duke përfshirë edhe një volej të Drogbës të cilin e ndali De Sanctis.

Me këtë rezultat mbaroi koha e rregullt, kurse në vazhdime skuadrat zhvilluan një lojë kryesisht të baraspeshuar.

Dhe në vazhdime ishte Chelsea që arriti të shënojë me anë të Ivanovic për 4-1 dhe fitoren e madhe të kualifikimit të ekipit të vetëm anglez në çerekfinale.

Chelsea është ekipi i vetëm anglez që ka mbetur në Ligën e Kampionëve, krahas Milanit që mbeti përfaqësuesi i vetëm i Serie A.

Skuadrat e kualifikuara në çerekfinale të Ligës së Kampionëve janë: APOEL Nciosia (Qipro), Chelsea (Angli), Bayern (Gjermani), Barcelona (Spanjë), Real Madrid (Spanjë), Benfica (Portugali), Marseille (Francë). Milan (Itali)

Shorti hidhet të premtën në Nyon të Zvicrës dhe nuk ka kufizime për duelet – mund të shohim lehtë edhe El Clasico.