Plas te City, sherr mes Balotellit dhe Toure




Mjafton një humbje ndaj Swansea për të nxjerrë në sipërfaqje krisjet e para te skuadra e Manchester City. Disfata e kësaj të diele në shtëpinë e “mjelmave” (1-0), e cila u shoqërua dhe me humbjen e kryesimit që prej 15 tetorit të vitit të shkuar, ka trazuar shpirtrat në dhomat e zhveshjes së “qytetarëve”.

Gareth Berry e ka pritur shumë keq zëvendësimin e tij në pjesën e parë (në minutën e 38-të), ndërsa Balotelli dhe Yaya Toure kanë shkëmbyer fjalë të ashpra në tunelin e “Liberty Stadium” pas përfundimit të pjesës së parë. Përplasja mes sulmuesit italian dhe mesfushorit nga Bregu i Fildishtë për pak sa nuk ka degjeneruar në një konflikt fizik. Nuk dihet ende se çfarë i na nxehur gjakrat mes dy prej lojtarëve më të paguar të klubit milioner, por Roberto Mançini në fund të ndeshjes është munduar të fshehë gjithçka.

“Ne do të luftojmë deri në fund për titullin. Ka pasur një zënkë mes Balotellit dhe Toure? Nuk kam parë asgjë. Por, e rëndësishme është që të ruajmë kompaktësinë në dhomat e zhveshjes dhe jashtë tyre”, – komentoi tekniku italian.

47- vjeçarit i është dashur të përballojë dhe zemërimin e Berriy. Mesfushori i “Tre Luanëve” nuk e ka fshehur zemërimin e tij në momentin e zëvendësimit duke kritikuar vendimin e trajnerit dhe lojën e skuadrës pas ndeshjes. Por Roberto e komentoi kështu zëvendësimin e tij.

“Garet kishte probleme fizike prej 3 javësh dhe Swansea po kontrollonte topin në 30 minutat e para të ndeshjes. Kështu vendosa të hedh në fushë një tjetër sulmues (Sergioo Aguero) për të bërë presion. E kuptoj që Berry nuk është i lumtur për ndërrimin, por ai duhet ta pranoj, sepse Manchester City ka një trajner dhe ai jam unë”, deklaroi Mancini.