Ai gjest me gishtin tregues përpara gojës i Samir Nasrisë pas golit të barazimit ndaj Anglisë, ka shkaktuar polemika jo vetëm në Francë, por edhe në Angli. Mesfushori i Manchester City realizoi me një goditje fantastike nga jashtë zone në minutën e 39-të dhe duke ngritur gishtin tha: "Qepeni gojën".
Fantazisti e bëri këtë gjest në drejtim të Roy Hodgson dhe asistentit të tij, Gary Nevile, e për mediat ishullore kaq mjaftoi për ta shndërruar në një çështje.
Të përditshmet britanike "Mirror" dhe "DailyMail" nxorën vrer ndaj Nasrisë, por menaxheri i ishullorëve tha se nuk e kishte marrë aspak personale dhe se nuk e kishte pasur absolutisht mendjen te Nasri në momentin e pësimit të golit.
"Unë pashë në fushë një sjellje më se korrekte mes të dyja skuadrave. Nuk pati asnjë acarim gjatë gjithë ndeshjes edhe pse rivaliteti historik i skuadraveishte prezent", deklaroi trajneri 64-vjeçar i Anglisë.
"Ishte një shpërthim kundër shtypit të vendit tim. Më kanë akuzuar rëndë kur unë përpiqesha të respektoja urdhrat e trajnerit. Gazeta "L’Equipe" nuk donte t’ia dinte për këtë. Unë nuk prisja të më mbronin kur më lanë jashtë Kupës së Botës dy vite më parë, edhe pse jam ndjerë shumë keq. Por, këtë presion të pamerituar nuk mund ta toleroja kurrsesi", ka deklaruar Samir Nasri.
Gjithsesi, ai kërkoi ndjesë nëse gjesti i tij ishte keqkuptuar: "Ishte një veprim i nxituar dhe për këtë u kërkoj ndjesë atyre që kanë mbetur të fyer. Duhet ta kisha shmangur në çdo rrethanë. Por, kur familja lexon artikuj ku djali i tyre bëhet shënjestër çdo ditë, atëherë vjen një moment ku nuk mban më", përfundoi ylli 24-vjeçar i "Gjelave".
