Franca është një prej pretendenteve kryesore për të triumfuar në “Euro 2012″. Shumë skuadra të tjera janë përmendur si favorite për të ngritur trofeun, duke lënë disi në hije futbollistët e LaurentBlanc. Por, kjo i ka ndihmuar “Gjelat” që të mos ndihen nën presion psikologjik dhe të kenë kushtet e shkëlqyera për të bërë një paraqitje mbresëlënëse në kompeticionin kontinental.
Me dy tituj në histori, lojtarët do kërkojnë të rikthejnë trofeun e tretë, këtë herë me një ekip të mbushur me futbollistë të rinj në moshë dhe në një formë të shkëlqyer. Lojtarë që luajnë me klubet më prestigjioze të Evropës dhe që sapo kanë përfunduar sezone shumë të suksesshme në aspektin individual.
Kapiteni - Edhe pse vetëm 25-vjeç, Hugo Lloris është emëruar kapiten i Kombëtares nga trajneri Blanc. Ky i fundit ka shprehur gjithnjë besim të madh te portieri, i cili është edhe një nga pikat më të forta të skuadrës. Pavarësisht se në ekip ka lojtarë me më shumë eksperiencë, si Ribery apo Malouda, Lloris shihet si i duhuri për të ruajtur harmoninë brenda grupit dhe për të udhëhequr moralisht futbollistët në fushën e lojës.
Blanc është kritikuar jo pak për këtë vendim, duke qenë se portier (si kapiten) e ka të vështirë të protestojë te arbitri sa herë që ka ndonjë vendim të kontestueshëm, por kjo nuk ndikoi që tekniku të ndryshonte mendim.
Ylli i ekipit - Pa diskutim që Franck Ribery është lideri i skuadrës në fushë. Me një kualitet të jashtëzakonshëm, në formë të shkëlqyer fizike (duke iu referuar paraqitjeve që ka zhvilluar deri tani) dhe me shumë eksperiencë mbi supe, ai është futbollisti më i rrezikshëm dhe prestigjioz i “gjelave”. Gjithsesi, pas Frenkut rreshtohen mjaft lojtarë të tjerë, të cilët gjithashtu mund të fitojnë statusin e “yllit”, ku nuk mungon Karim Benzema.
Bomberi i Kombëtares ka shkëlqyer me Realin dhe ka arritur të rrisë ndjeshëm nivelin e tij nën drejtimin e Jose Mourinhos.
Talenti - Yann M’Vila është vetëm 21 vjeç, por ka zhvilluar 19 ndeshje deri tani me ekipin kombëtar. Ai është “mushkëria” e skuadrës, si një mesfushor që vrapon gjatë gjithë kohës, në kërkim për të shkatërruar aksione e kundërshtarit. Përveç forcës fizike, ai ka edhe aftësi organizative dhe një gjuajtje tepër potente. Lojtari i Rennes pritet të transferohet në një klub të madh në përfundim të Evropianit, pasi mjaft skuadra kanë shfaqur interes për shërbimet e tij.
