Klaas Jan Huntelaar ka zyrtarizuar marrëdhënien tepër të keqe me trajnerin Bert Van Marwijk. Sulmuesi ka pranuar se shpërdoroi një rast të mirë në ndeshjen kundër Danimarkës por që, sipas tij, fajin e humbjes e kishte trajneri.
"Është e vërtetë që pata një rast shumë të mirë për shënim, por fati nuk ishte me mua. Portieri lëvizi mjaft shpejt dhe më zuri rrezen. Ishte e vështirë që të bëja më shumë se aq. Më vjen keq, pasi mund të kisha ndryshuar fatin e takimit", deklaroi Huntelaar.
Më pas, ai nuk u kursye në kritika kundrejt trajnerit Van Marwijk: "Jam munduar disa herë të flas me trajnerin, por ai ka qenë me nerva dhe nuk kemi diskutuar dot. Madje, edhe në rastet kur i kam shprehur idetë që kam për sa i përket mënyrës se si duhet të luajmë, ai nuk i ka mirëpritur. Pavarësisht se krijuam disa raste të mira për shënim, ne do kishim realizuar një fitore pa probleme, nëse do luanim me ndryshime në formacion. Në fushë duhet të ishte që nga minuta e parë Van der Vart, pasi ai u jep më shumë fantazi aksioneve dhe krijon më tepër mundësi për shënim me pasimet që jep. Duhet të luante në vendin e Afelajt apo Robenit dhe, në këtë mënyrë, do t’i jepte edhe Shnajderit më shumë hapësira. Ndërkohë, do të ishte më mirë, në qoftë se unë do të luaja që nga minuta e parë gjithashtu. Jo, sepse Van Persi nuk e meriton, por sepse ai aktivizohet jashtë rolit. Ai do të ishte i shkëlqyer, nëse luan më i tërhequr, pasi nuk arrin të ushtrojë presing te mbrojtësit kundërshtarë, apo të bëjë rolin e ‘pykës’. Pra, ishin disa probleme taktike, të cilat do ta kishin ndryshuar rrjedhën e lojës", u shpreh sulmuesi i Schalke 04.
Për ndeshjen e radhës kundër Gjermanisë, ai shtoi: "Na duhet vetëm fitorja dhe nuk kemi asnjë mundësi tjetër zgjedhjeje. Nuk mund të dështojmë që në fazën në grupe. Kam besim që do t’ia dalim mbanë dhe të marrim tri pikët. Suksesi ndaj gjermanëve do na rikthejë edhe një gjendje më të mirë psikologjike".
Klaas Jan Huntelaar është shndërruar në një lojtar rezervë te “"Tulipanë", pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer me Shalken këtë sezon, pasi trajneri Van Marwijk preferon Van Persie si titullar.
