Magani: E vendos unë se kush do qëndrojë

“Nëse do drejtoj Besën në Superiore, askush nuk do të më diktojë dot se kë të ofroj e kë të largoj nga ekipi” – nis prononcimin e tij trajneri i Besës, Gugash Magani. I pyetur përse citon termin “nëse do të jem”, ai sqaron se thjesht vepron dhe beson si mysliman duke folur gjithnjë nëse do të jetë. “Kur thashë nëse do jem unë trajner mos kujtoni se kam dyshime, por thjesht s’i dihet a jemi shëndosh deri nesër, apo jo? Sigurisht, tani që Besa është në Superiore kërkohet dyfish cilësi grupi. Jam ulur me Bizhdilin dhe thjesht kemi diskutuar në parim për 4 apo 5 emra, pasi ai më njohu me objektivin e klubit që janë Kupat e Evropës. Vendosëm që grumbullimin e parë ta zhvillojmë në fillim të korrikut, ndaj s’ka asnjë arsye përse të nxitojmë”, – ka vijuar trajneri peqinas. Deklaratat e mëhershme të Bizhdilit se do të ndërtojë një ekip me lojtarë që vrapojnë, ka bërë që edhe Magani të hedhë sytë te futbollistët kryesisht 20-26- vjeçarë dhe jo më të vjetër. Këtë fakt ai e pohon vetë, por gjithnjë duke mos dashur të caktojë emrat konkretë. “Presidenti Bizhdili është ai që do të zbrazë qesen së bashku me bashkinë, ndaj ata më kërkuan të shoh në treg lojtarë kryesisht të rinj në moshë. Pas bisedave presidenti ka kontaktuar me lojtarë të tillë, por meqë është herët s’po i citoj. Së dyti dua të them se puna ime do të nisë së pari me përcaktimin e lojtarëve që do të qëndrojnë nga grupi që punuam bashkë në Kategorinë e Parë. Kjo përzgjedhje do të përcaktohet mbi të gjitha nga mosha, por edhe kërkesat financiare që ata do të kenë. Nuk do të ndodhë më që një lojtar, bie fjala, paguhet 1 milion lekë të vjetër në muaj dhe të luajë vetëm 5 apo 10 ndeshje gjithë sezonin. Dua lojtarë që 90% të kampionatit t’i kem të gatshëm për lojë”, – është shprehur tekniku i kavajasve.