Nicklas Bendtner rrezikon dënimin nga UEFA


Lojtari i Danimarkës Nicklas Bendtner rrezikon ndëshkimin nga UEFA pasi ka treguar mbathjet pas golit të dytë ndaj Portugalisë. Më shumë se sa xhesti i Bendtner, arsyeja e ndëshkimit është ajo e një reklame të fshehtë, pasi mbathjet e tij mbanin emrin e një kompanie biznesi. Kjo formë publiciteti është e pajustifikueshme në një evendiment të tillë, ku të ardhurat nga reklamat janë në vlera të konsiderueshe.
Bendtner, autor i të dy golave për ekipin e tij, tregoi mbathjet pasi gjeti rrugën e rrjetës, ndërsa në to ishte shkruar emri i kompanisë irlandeze të basteve “Paddy Poëer”. Gjithçka duket se ka qenë e organizuar më përpara pasi kompania në fjalë ka dalë menjëherë me një deklaratë duke përgëzuar lojtarin danez.
“Jam shumë i lumtur për Nicklas, një paraqitje e jashtëzakonshme sonte. Nuk kam dyshime që fati irlandez, falë mbathjeve tona, e ndihmoi atë të gjente dy herë rrugën e rrjetës”, ishte komenti i Ken Robertson, përfaqësues i kësaj kompanie.
Po UEFA nuk do të shfaqet po aq entuziaste për futbollistin, pasi veprimet e Bendtner janë një thyerje e qartë e rregullave mbi reklamat e fshehta gjatë ndeshjeve. Për më tepër gjatë turneve, çdo gjë kontrollohet me imtësi, pasi sponsorët e aktiviteteve të këtyre përmasave paguajnë miliona euro pikërisht për të mos patur asnjë konkurrent.