Shoping në Euro


Kampionati evropian ‘Euro 2012’ është një mundësi ideale për klubet që t’i bëjnë përforcimet e verës. Për këtë janë të vetëdijshëm një pjesë e menaxherëve të Premierligës, të cilët pritet të zbarkojnë në Ukrainë dhe Poloni për t’i parë nga afër transferimet e tyre eventuale. Por, ka prej tyre që nuk e preferojnë këtë ‘treg’, me bindjen se lojtarët nuk mund të vlerësohen vetëm nga Evropiani ose Botërori.
Kampionati evropian ‘Euro 2012’ po fillon dhe ajka e futbollit nga kontinenti i vjetër do të jetë pjesë e këtij evenimenti. Kjo ka bërë që një pjesë e mirë e menaxherëve të Premierligës ta marrin rrugën drejt Ukrainës dhe Polonisë për të gjetur futbollistë, të cilët do t’u hynin në punë në ekipet e tyre.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, do ta bëjë një rrugë e dy punë. Ndërkohë që do ta kryejë punën e analistit në televizionin francez, trajneri francez do t’i studiojë futbollistët pjesëmarrës dhe eventualisht ndonjë prej tyre mund ta transferojë në Londër gjatë verës.
Menaxheri i Wiganit, Roberto Martínez, po ashtu do të punojë për ITV me bazë në Varshavë, ndërkohë që do t’i vëzhgojë futbollistët. Pjesëmarrjen në Poloni dhe Ukrainë e kanë konfirmuar edhe David Moyes (Everton), Brendan Rodgers (Liverpool) dhe Martin Jol (Fulham).
Sigurisht ka edhe të tjerë që preferojnë ta kalojnë verën duke synuar futbollistë që nuk do të jenë pjesë e këtij evenimenti. Menaxherët si Sir Alex Ferguson nga Manchester United, Roberto Mancini i Manchester Cityt, Mark Hughes i QPR-së, Tony Pulis i Stoke Cityt etj. në këto tri javë kanë prioritete tjera.
Kurse të pavendosur ende duken Alan Pardew i Newcastle United dhe Martin O’Neill nga Sunderland. “Nuk jam i sigurt se mund të blesh lojtarë duke u bazuar nga paraqitja e tyre në Evropian ose Botëror”, thotë O’Neill.
Ish menaxheri i Aston Villës thotë se më shumë preferon të transferojë futbollistë, të cilët i ka parë duke luajtur gjatë tërë sezonit. Ai më shumë preferon t’i shikojë ekipet duke ‘blerë’ diçka nga taktika e tyre sesa të koncentrohet në futbollistët individualë.
Ndërkohë, Pardew është i pavendosur nëse do të shkojë në Evropian, por Newcastle do ta ketë atje sigurisht shefin e skautëve, Graham Carr. Pardew shpreson t’i transferojë së paku dy futbollistë pjesëmarrës në ‘Euro 2012’.
“Janë disa futbollistë pjesëmarrës në Evropian, për të cilët jemi të interesuar. Vlera e tyre do të shkojë lart dhe poshtë, kjo ka rëndësi të madhe. Reputacioni i disa prej tyre do të ngritet, kurse i të tjerëve do të zbritet. Kjo do të ketë efekt në çmim”, theksoi Pardew.
Manchester Unitedi e kishte blerë çekun Karel Poborsky duke u bazuar nga paraqitja e tij në Euro 96 me skuadrën përfaqësuese. Por, mesfushori ofanziv nuk dha atë që pritej nga ai. E njëjta gjë vlen për Asamoah Gyan.
Sulmuesi ganez u shqua me paraqitjet e tij në Botërorin e Afrikës së Jugut, por e kaloi një gjysmë sezoni huazim në Al-Ain në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nuk pritet të rikthehet më në Premierligë.
Në të kaluarën ka pasur edhe raste tjera kur klubet kanë dështuar me futbollistët që i transferuan nga Evropiani ose Botërori. Kjo ka bërë që menaxherët e sipërpërmendur të mos preferojnë blerjen e futbollistëve duke u bazuar në paraqitjet e tyre në këto evenimente.
Derisa Chelsea, West Bromwich, Swansea e Norwich nuk e kanë zgjedhur ende çështjen e trajnerit, Paul Lambert (Aston Villa) dhe Sam Allardyce (West Ham) nuk kanë përgjigje ende.