Baseli kërkon mrekullinë


Baseli do ta kërkojë sonte mrekullinë në duelin e dytë me Bayern Munichun, në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve.

Xherdan Shaqiri me shokë synon ta ruajë avantazhin e krijuar në ndeshjen e parë për ta arritur kualifikimin historik në çerekfinale. Në duelin tjetër, Interi synon ta përmbysë epërsinë e Olympique Marseilles nga sfida e parë.

Baseli e ka marrë rrugën drejt Gjermanisë, ku sonte do ta kërkojë kualifikimin historik në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pas përballjes së dytë me Bayern Munichun, e cila do të zhvillohet në Allianz Arena.

Kampioni zviceran e mposhti gjigantin bavarez 1:0 në ndeshjen e parë, ndërsa shpreson ta ruajë këtë rezultat në ndeshjen e kthimit për ta bërë një tjetër mrekulli, pas asaj ndaj Manchester Unitedit në fazën e grupeve.

Dy prej lojtarëve kryesorë të Baselit, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka besojnë se ekipi i tyre do të shkojë më tutje, duke u renditur në mesin e tetë ekipeve më të mira në Evropë.

“Ne shkojmë me ambicie të qarta që të kualifikohemi në Munich”, ka thënë Shaqiri, për të cilin kjo ndeshje do të jetë e veçantë, sepse nga vera do të jetë pikërisht pjesë e kundërshtarit të sontëm.

Bayerni fitoi me rezultat të thellë 7:1 ndaj Hoffenheimit në fundjavë, por ky fakt nuk e frikëson aspak 19 vjeçarin Xhaka. “Bayerni i ka bërë disa gola ndaj Hoffenheimit, por të martën (sonte) nuk do të jetë njëjtë. Është e vështirë të shënosh ndaj nesh”, theksoi mesfushori kosovar.

Bayerni ka një rekord 100 për qind në tri ndeshje kundër skuadrave zvicerane. Gjiganti gjerman i ka fituar 11 nga 12 ndeshjet e fundit në shtëpi në Ligën e Kampionëve, përfshirë këtu 4 fitoret e këtij sezoni.

Baseli ishte i pamposhtur në udhëtimet që pati këtë sezon në fazën e grupeve. Mirëpo, ata kanë një fitore, dy barazime e tri humbje nga përballjet në Gjermani. Zviceranët e kanë fituar ndeshjen e parë në shtëpi në 17 kompeticione të UEFA-s dhe shkuar përpara në 13 raste.

Kur kanë fituar në shtëpi 1:0, ata e kanë kaluar xhiron pas ndeshjes së kthimit në tri nga katër rastet. Ndërkohë, Bayerni ka shpëtuar pas disfatës në ndeshjen e parë në tetë raste, ndërsa është eliminuar në dhjetë të tjera, në raste të tilla, duke i përfshirë shtatë nga tetë rastet e fundit.

Në duelin tjetër, i cili do të zhvillohet po ashtu sonte, Interi do ta kërkojë kualifikimin në çerekfinale pas humbjes me rezultat 1:0 në duelin e parë me Olympique Marseillen në stadiumin Velodrome. Nerazzurrët iu rikthyen fitores pas shtatë ndeshjesh në fundjavë, ndërsa ekipi francez nuk po kalon momente të mira. Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin Giuseppe Meazza.

Liga e Kampionëve

E teta e finales

Sonte

Bayern – Basel 20:45

Inter – Marseille 20:45