
Lionel Messi, futbollisti më i mirë për momentin dhe mbase më i miri i të gjitha kohërave, mund të kishte veshur fanellën e Juventusit. Është kjo prapaskena e bujshme e merkatos, të cilën e ka zbuluar dje ish-trajneri i bardhezinjve, Fabio Capello, në një intervistë për të përditshmen torineze “La Stampa”. Italiani 65-vjeçar bën edhe një krahasim mes yllit të katalanasve dhe ikonës së futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona.
"Maradona në fushën e lojës ishte më shumë lider se Messi. Lionel mbase ka diçka më tepër në shpejtësi e sipër, një driblim më të mirë dhe është më i paparashikueshëm përpara portës. Maradona ndërkaq mund të jetë goditur më pak, por më ashpër, ndërsa ajo që ka pësuar në vitet e fundit Messi nga mbrojtësit rivalë i tejkalon të gjithë shkelmat që ka marrë Diego gjatë karrierës. Megjithatë, unë nuk dua të përmend një emër, sepse realisht nuk mund ta them se cili prej Mesit apo Maradonës ka qenë më i forti i historisë", u shpreh Capello.
I pyetur rreth faktit nëse e mërziste ideja që nuk e ka stërvitur asnjëherë asin e Barcelonës, ish-trajneri i Juventus, Milan dhe sël fundmi Kombëtares angleze u shpreh: "Në lidhje me të stërviturit kampionë të ndryshëm nuk mund të qahem, sepse pak a shumë të gjithë i njohin emrat që kam kaluar nëpër duar unë. Por mbase Mesin kisha mundësi ta stërvitja. Kur mora drejtimin e Juves (në vitin 2004) zhvilluam një miqësore me Barcelonën dhe në atë kohë Leo sapo kishte kaluar të 16-at. U kërkova drejtuesve të klubit të këmbëngulnin për blerjen e këtij talenti, por ata ishin skeptikë për shkak të moshës së tij të re. Mirëpo unë nuk u dorëzova lehtë dhe ia kërkova personalisht Rajkardit, të paktën të ma jepte për një sezon në huazim, por edhe ai refuzoi. E kështu unë e lashë mënjanë këtë çështje, ndonëse brenda meje e kuptoja se nuk kishim këmbëngulur sa duhej për një kampion të madh, dhe ashtu rezultoi në fakt", përfundoi Fabio Capello.