Shifrat marramëndëse të presidencës Abramoviç


Nëse gjuajtja e Gronkjaerit nuk do të kishte përfunduar në rrjetë në takimin ndaj Liverpool, më 11 maj të vitit 2003, atëherë Roman Abramoviç nuk do ta kishte blerë kurrë Chelsean. Ajo ditë qe e veçantë për blutë, pasi arritën të siguronin një vend në Ligën e Kampioneve.

Por 9 vite më pas Chelsea është sërish në të njëjtën pozitë, duke luftuar për një vend në 4-shen më të mirë. Dhe, përgjatë 9 viteve, presidenti Roman Abramoviç ka shpenzuar 2.5 miliardë euro. Sipas një hetimi të bërë nga tabloidi anglez “The Sun”, rusi ka shpenzuar shifra të mëdha për të blerë lojtarë e për t’i paguar ata.

Në 8 vite, klubi londinez ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për blerjen e lojtarëve dhe rreth 1.5 miliardë të tjera për rrogat. Ndërkaq, rreth 70 milionë u harxhuan për të marrë Juan Matan vitin e kaluar, kurse pak më shumë për Gary Cahill. Pra, qëkurse nisi evolucioni te blutë, shifrat e shpenzuara kanë qenë stratosferike. Edhe pse duhet pranuar që gjatë kësaj kohe klubi londinez ka shënuar periudhën më të mirë në historinë e tij.

Chelsea ka fituar tre tituj kampionë, tri “FA Cup” dhe për pak arriti të shkonte në finalen e Ligës së Kampioneve. Dhe emocionet që tifozët kanë përjetuar kanë qenë të mëdha. Por drejtuesit vazhdojnë me politikën e tyre të shkarkimit të trajnerëve. Që kur erdhi Abramoviçi, janë shpenzuar rreth 70 milionë euro për të blerë e shkarkuar trajnerë.

Të njëjtin ritëm po ndjek edhe Manchester City, ndërkohë që humbjet në sezonin e kaluar kanë qenë rreth 71 milionë. Chelsea ka shpenzuar më shumë në pagesa e transferta lojtarësh se çdo rival tjetër. Manchester United ka arritur që me më pak para të fitojë më shumë. Me 20% më pak pagesa për lojtarët se blutë, si dhe me një shumë totale prej 2.2 milionë eurosh, ka arritur të fitojë në këto 9 vjet 4 tituj kampionë, një “FA Cup”, tri “Leage Cup” dhe një Ligë të Kampioneve.