De Biazi nuk demoralizohet: Jam i bindur që mund të shkojmë larg!



Trajneri shikon dy anët e medaljes përballë Gjeorgjisë dhe analizon të ardhmen e Shqipërisë

Trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë, Xhani De Biazi, në një konferncë për shtyp të improvizuar në ambientet e aeroportit “Nënë Tereza”, ka analizuar sfidën e miqësore të Shqipërisë në Gjeorgji. Sipas tij, skuadra ka treguar dy fytyra, pasi në pjesën e parë ka qenë pozitive. Ndërkohë që fraksioni i dytë ka qenë me ritme më të ulëta, duke shfaqur mungesë personaliteti. Italiani i pankinës kuqezi është optimist për debutuesit dhe për të ardhmen e Shqipërisë.

Në fakt, në vetëm një sfidë nuk mund të vlerësohet puna e një trajneri. Ndërkohë që Shqipëria, në tri miqësoret e fundit, edhe pse ndaj kundërshtarëve joelitarë, madje edhe modestë si Azerbajxhani, Maqedonia dhe Gjeorgjia, s’ka provuar shijen e fitores. E ardhmja duket e vështirë, edhe pse dikush përmend kualifikimin për në botëror, i cili duke parë performancat aktuale, duket mijëra kilometra larg.

Sfida

“Ishte një ndeshje ku nuk patëm kohë të gjithë bashkë për ta përgatitur. Punuam pak taktikisht me aq sa mundëm, por nga këndvështrimi psikologjik skuadra ishte shumë e karikuar. Loja filloi mirë dhe në mënyrë të vecantë pjesa e parë ishte pozitive, ndërsa në pjesën e dytë, sipas meje, e ulëm ritmin dhe treguam mungesë personaliteti, treguam se nuk mund të mbanim dot topin dhe kjo e karakterizoi pjesën e dytë. Edhe pse sa i përket rezultatit mund të them se penalltia mund të ishte, por në momentin kur u bë goditja që solli golin e dytë, kishte lojtarë kundërshtarë në pozicion jashtë loje.”

Mbrojtja

“Mbrojtja funksionoi mirë, sidomos në pjesën e parë. Kur ajo mbrohet nga një mesfushë që ushtron presing përpara, që për mendimin tim funksionoi mirë, gjërat në tërësi janë në rregull. Megjithatë, ka punë për të bërë. Nuk është se kam punuar vetëm për mbrojtjen, thjesht jam përpjekur të përgatis psikologjikisht skuadrën për atë që duhet të bënte dhe për atë që pretendoja unë që skuadra të bënte. Unë jam shumë i kënaqur nga përgjigjja që dha ekipi në fushë.

Sigurisht, duhet të rrisim nivelin e lojës dhe nuk duhet të kemi frikë të luajmë futboll. Duhet t’i shfrytëzojmë më shumë momentet sulmuese, pasi edhe në këtë ndeshje u gjendëm në disa raste në momente epërsie numerike në sulm dhe lojtarët tanë mund të reagonin më mirë, por nuk e bënë. Sigurisht, këto janë gjëra që ndodhin. Megjithatë, jam i bindur që ky është një hap i parë për të shkuar larg.”

Debutuesit

“Mund të them që Çani nuk mund të debutonte më mirë, Zeqiri për mendimin tim u paraqit mirë, ndërkohë që Sadiku u fut në një moment të vështirë për skuadrën, megjithatë reagoi. Këta janë tre debutuesit, më pas nëse doni ta konsideroni Shehin debutues, mund të them që m’u bë shumë qejfi. Më vjen keq në përgjithësi për djemtë, sepse besonin shumë të merrnim një rezultat pozitiv në Gjeorgji. Të vetmen gjë të re që bëmë ishte goli i parë, që shënon Shqipëria në Gjeorgji.”

Moduli

“Skema do të vazhdojë me 4-3-3 që më pas bëhet 4-1-4-1. Sigurisht që skema është e lidhur disi me lojtarët që kam në dispozicion. Mund të luajmë edhe me 4-2-3-1. Në këtë ndeshje mungonin disa lojtarë, por unë nuk do qaja, sepse bëmë atë që mund të bënte skuadra.”

Kualitetet
”Skuadra ka kualitete, por nuk mund të them se kemi kualitetet e Anglisë, Spanjës apo Holandës, por në atë rreth të vogël tonin duhet të bëjmë maksimumin. Nuk duhet të fshihemi pas faktit që të tjerët janë më të mirë se ne. Ne duhet të punojmë tek gjërat që mund të përmirësojmë. Për ndeshjen e fundit, penalltia, ishte apo nuk ishte, nuk flas për të parën se ishte padiskutim. Sa i përket së dytës, që duhet parë, kur Ujkani pret goditjen e parë, duhet të jenë lojtarët tanë që shkojnë tek topi. Ata goditën katër herë për të shndërruar në gol një 11-metërsh. Për mendimin tim, psikologjikisht ne aty u dorëzuam. Ishim të bindur se do të na bënin menjëherë gol, ndërkohë që Samiri ia doli mbanë.”

Spanja

“Sa i përket miqësores me Spanjën, nuk kemi frikë, sepse nuk kemi çfarë të humbasim përballë kampionëve të Europës. Në ndeshje të këtij niveli ne vetëm mund të mësojmë.”