Etika driblon “teatrin” e shfaqur në Peqin…


Nuk ka pasur asnjë koment dje, jo vetëm nga Federata Shqiptare e Futbollit, por as nga Komisioni i Etikës lidhur me “teatrin” në fushën e Peqinit në takimin mes Shkumbinit vendës dhe Skënderbeut. Askush nuk ka preferuar ta komentojë ose analizojë këtë ndeshje, e kontestuar fuqishëm nga sportadashësit peqinas, të cilët e bojkotuan në masë, edhe pse referuar deklaratave të fundit të presidentit të FSHFsë, Duka, kampionati do të ishte në vëzhgim të rreptë, si në aspektin e dhunës, por edhe të tolerimeve dhe trukimeve. Madje në asamblenë e fundit, më 22 shkurt në Shkodër, u krijua edhe një komision enkas për trukimet (Komisioni i Etikës), i cili presupozohet (ose të paktën sipas presidentit Duka) do të jetë një armë e fortë kundër trukimeve, tolerimeve dhe shfaqjeve të dhunës në kampionatin shqiptar. Në këtë kontekst, i kontaktuar dje nga Panorama Sport, kryetari i këtij komisioni, Fatmir Braka, ka pohuar se nuk ka asnjë dijeni për anomali në këtë takim.
Deklarata - “Të jem i sinqertë nuk e kam parë këtë ndeshje. Kam pasur angazhime të tjera dhe nuk mund të jap një ide të qartë për atë që ju thoni se ka ndodhur dje (pardje) në fushën e Peqinit. Pastaj, nuk e kuptoj se përse ngulmoni pikërisht te Komisioni i Etikës për të analizuar një ndeshje të tillë ku, sipas jush dhe mediave, ka pasur anomali. Ka edhe komisione të tjera federata, të cilat merren me këtë punë. Gjithsesi, për momentin, përderisa nuk e kam parë ndeshjen nuk mund t’ju them nëse ka pasur probleme dhe nëse do ketë ndonjë hetim të posaçëm për këtë takim”, ka theksuar Braka, i cili është zgjedhur zyrtarisht kryetar i Komisionit të Etikës, në mbledhjen e parë, zhvilluar javën e shkuar.
Problematika - Për t’i kuptuar anomalitë e shumta që u panë në ndeshjen Shkumbini- Skënderbeu (2-4) mjafton të përmendim se si fillim, edhe pse në Peqin vinte kampioni në fuqi, interesi për ndeshjen ishte zero. Në fakt, ishte i tillë pasi që në orët e para të ditës së shtunë, gjithë sportdashësit kishin mësuar se ekipi i tyre do toleronte haptazi ndaj Skënderbeut. Në këtë kuptim ata e braktisën skuadrën. Peqinasit, të cilët zakonisht u kallin frikën të gjitha skuadrave që shkelin në tokën e tyre, pardje ishin më bujarë se kurrë, duke ua bërë shumë të thjeshtë fitoren korçarëve. Sakaq, në kompanitë e basteve nisin lëvizjet e koeficienteve, ku nga 2 që kuotohej fitorja e kampionëve, shkoi deri në 1.3 pak para ndeshjes. Por, e dhënë më e frikshme, ishte fakti se lojtarët e Shkumbinit morën një “premio” edhe pse humbën ndaj Skënderbeut. Menjëherë pas ndeshjes, drejtuesit peqinas urdhëruan shpërblimin e lojtarëve me nga 30 mijë lekë secili. Burime të sigurta pranë klubit të Shkumbinit treguan për “Panorama Sport”, se bëhet fjalë për një rrogë mujore të prapambetur. Në një kohë që lojtarët kanë pritur likuidimin prej disa javësh, “surpriza” u erdhi pas përfundimit të sfidës.

Çfarë tha presidenti Duka për Etikën
Në një prononcim, gjatë një emisioni sportiv të para një jave, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi shprehimisht se Komisioni i Etikës do të merrej edhe me tolerimet dhe trukimet, nëse do të kishte. “Ata (anëtarët) do të shikojnë një ndeshje futbolli dhe, nëse vërejnë ndonjë anomali, kanë të drejtë që të ndërhyjnë menjëherë duke hetuar mbi atë rast. Komisioni është një organ vendimmarrës dhe më i larti në hierarkinë e komisioneve juridike”, theksoi Duka. Sakaq, edhe pse komisioni ka nisur punën prej disa ditësh, mësohet se të paktën Shkumbini-Skënderbeu mund të kalojë pa marrë parasysh asnjë hetim.

Dilemat dhe objekti i Komisionit
Si strukturë e re pranë FSHF-së, Komisioni i Etikës përballet me një sërë problematikash dhe dilemash, të cilat nuk janë sqaruar jo vetëm në asamble, por as nga drejtuesit e federatës. Pikë së pari është thënë se komisioni ka për objekt shqyrtimin e rregullave të etikës, të sjelljes, si dhe çështjeve që kanë të bëjnë me përcaktimin e rezultateve të ndeshjeve. Në këtë këndvështrim ka diçka paradoksale, pasi e njëjta gjë, pak a shumë, është edhe në Kodin e Drejtësisë Sportive, me të cilën operon momentalisht edhe Komisioni i Disiplinës. Ndaj nuk kuptohet se përse duhej krijuar një tjetër komision me gati të njëjtin objekt-zbatimi. Së dyti, është thënë në asamble se komisioni ka në kompetencë që të shpallë secilën prej masave ndëshkimore të përcaktuara në statutin e FSHF-së, si dhe në Kodin e Disiplinës, me kusht që të jenë të lidhura me objektin e veprimtarisë së këtij komisioni. Përderisa po këto nene dhe rregullore janë të njëjta me ato që ka pasur deri tani statuti i FSHFsë, si dhe KDS-ja, nuk është sqaruar ende se përse duhej krijuar një strukturë e re juridike paralele, identike me Komisionin e Disiplinës.

Klubi, 5 mln lekë për t’u rikthyer në Korçë
Skënderbeu mund të rikthehet së shpejti që të luajë në fushën e vet në Korçë. Drejtuesit e klubit po mendojnë që të paguajnë 5 milionë lekë në Komision të Disiplinës, me qëllim që ta shlyejnë totalisht dënimin e dhënë nga ky i fundit pas ndeshjes së kupës së Shqipërisë me Flamurtarin në Pogradec (luhej në “Gjorgji Kyçyku”, për shkak të dëborës në Korçë). Skënderbeu u dënua me 8 ndeshje në fushë asnjëanse pas gjakosjes së anësorit Ridigers Çokaj. Deri tani korçarët kanë shlyer takimin me Pogradecin në kampionat (u luajt në Tiranë), me Dinamon për kampionat (u luajt në Peqin) dhe me Vllazninë për kupë (u luajt në Laç). Sakaq, mendohet se edhe ndaj Laçit në ndeshjen e radhës në kampionat (në mesjavë luan ndaj Flamurtarit për kupë në Vlorë) ekipi mund të luajë jashtë, çka presupozohet se me këtë bëhen katër ndeshje të shlyera dhe në javën e 19-të ndaj Teutës, ekipi mund të rikthehet në stadiumin e vet në Korçë. Gjithsesi, duhet thënë se një gjë e tillë do të mund të realizohej vetëm nëse klubi paguan 5 milionë lekë në FSHF, sipas rregullores së Disiplinës.

Në kupë kthehet Allmuça dhe Muzaka
Për ndeshjen e kësaj mesjave në Vlorë ndaj Flamurtarit, Skënderbeut të Korçës i rikthehen dy lojtarë të rëndësishëm: Igli Allmuça dhe Gjergji Muzaka. I pari ka munguar për shkak të një dëmtimi dhe mësohet se është rikuperuar plotësisht. Ndërsa Muzaka u dëmtua një ditë para ndeshjes me Shkumbinin dhe u la pushim pikërisht që të mund të riaftësohej për takimin e rëndësishëm ndaj Flamurtarit. Këto dy rikthime shtojnë edhe më shumë konkurrencën në skuadër, sidomos në repartin e mesfushës, ku ka një mbipopullim. Gjithsesi, Levi ndaj vlonjatëve do të luajë me futbollistët që janë në kondicionin e duhur.