
Bajerni i Mynihut nuk mund ta vërë në dyshim kualifikimin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Gjigantët e Gjermanisë synojnë finalen, në “Alianc- Arena” kampionët e Zvicrës i pret ferri. Mirëpo, që të sfidosh rekordmenët gjermanë në shtëpi, duhet të kesh potencial të lartë, si futbollistik dhe atletik. Historia ka dëshmuar se Bajerni nuk është skualifikuar asnjëherë nga skuadra të nivelit të dytë në Champions. Pavarësisht statistikave, në “Alianc-Arena” do zbresin 312 milionë euro në fushë dhe do të jenë të pranishëm 67500 ultras për të vetmin qëllim: kualifikimin. Në prag të kësaj sfide në shtëpi, nga trajneri Jup Hejnkes e deri tek presidenti Uli Hënes flitet vetëm për kualifikim, në të kundërt për ta do të ishte dështim historik.
Konferenca për shtyp: Trajneri Jup Hejnkes ka folur mbi realitetin dhe atmosferën në skuadër, si dhe ka shpalosur recetën e tij anti-Bazel para gazetarëve.
Për taktikën: “Duhet të luajmë në sulm, por pa harruar kampin defensiv, me të cilin do fitojmë titujt. Motivimi – “Jo vetëm e gjithë skuadra, por e gjithë bota i ka sytë tek ne. Lojtarët do të jenë super të motivuar dhe me një besim të plotë tek vetja. Ndeshje të tilla i japin futbollit vitalitet dhe inkurajojnë më së miri lojtarët tanë”.
Për Shvajnshtaigerin – “Jam i lumtur që Bastian Shvajnshtaiger është i gatshëm. Ai është impulsi i skuadrës si brenda dhe jashtë fushe. Të tjerat do i mësoni nesër (sot)”. Kriza në transferta – “Bëhet fjalë për një ndeshje brenda fushe. Ndërsa për të tjerat mund të shihni edhe Barcelonën. Skuadra më e mirë në botë qëndron në vend të dytë në Spanjë poshtë Realit, sepse ka humbur pikë në transfertë”.
7 golat, qëllimin - “Triumfi 7-1 në kampionat ndaj Hofenhaimit erdhi në momentin e duhur. Qëllimi ynë janë çerekfinalet, prandaj na duhet të jemi në superformë. Kam besim të plotë tek forma jonë. Lojtarët e dinë se për çfarë bëhet fjalë. Këtu vendoset fati ynë në Champions, për të cilin kam një parandjenjë pozitive”,- përfundoi konferencën Jup Hejnkes.
Presidenti Hënes - Një tjetër qëndrim objektiv mban edhe kreu i klubit, Uli Hënes. Ai ua bën të qartë lojtarëve, që do vendosin ata për “jetën” e klubit. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme, që do i japë drejtim tjetër skuadrës. Nëse të martën skualifikohemi, atëherë i gjithë qielli do na bjerë mbi kokë dhe s’kemi për ta mbledhur veten as në kampionat. Por, kundër Bazelit s’do ketë komplekse dhe dilema. Luajmë për jetë a vdekje, prandaj jam i bindur që do kualifikohemi”, – ka deklaruar presidenti i Bajernit, Hënes.
Shvajni: Aktivizimi im sekondar
Bastian Shvajnshtaiger është rikthyer në skuadër, madje nuk ka qenë kapiteni Lahm, por zëvendëskapiteni që ka qëndruar pranë trajnerit në konferencën për shtyp. Sinjali i tij është i qartë: 90 minuta luftë për të triumfuar ndaj Bazelit, ndërsa më pas shpërndahen dhurata. “Presioni është i lartë dhe dëshira ime është të jem titullar. Megjithatë aktivizimi im është sekondar, pasi ekipi është i kompletuar. Hejnkes vendos!”,- tha ai.
Lahm: Ky mision, i mundur
Kapiteni Filip Lahm pritet të kalojë në krahun e djathtë, pasi në të majtë do të jetë Alaba. Para kësaj sfide, mbrojtësi i hekurt ka karikuar kolegët dhe është i vendosur për misionin kundër Bazelit. “Euforia nuk bën pjesë tek ne, pasi jemi mësuar të kalojmë çdo situatë. Është tepër pozitive që skuadra, si rrallëherë, këtë ndeshje ndihet e kompletuar dhe e vendosur për të arritur qëllimin, sado i vështirë qoftë ai”, – nënvizoi Lahm.
Bekenbauer: Bajerni kualifikohet
Ish-presidenti i Bajernit, Franc Bekenbauer, ka bërë rolin e kritikut në ndeshjet e fundit. Ai ka vënë në pikëpyetje fatin e klubit bavarez. Edhe pse për titullin cilëson Dortmundin si ekip favorit, ndaj Bazelit Kajzeri beson tek forca e skuadrës dhe çerekfinalet. “Sado të frustuar të jenë zviceranët, për Bajernin nuk ka rrugëzgjidhje tjetër. Ndeshjet vendimtare nuk i falim dhe kualifikohemi”, – theksoi Bekenbauer.
Gomez: Do t’ua marrim frymën
Sulmuesi i Bajernit, Mario Gomez, shënoi tripletë në ndeshjen e fundit në shtëpi. Edhe në sfidën ndaj Bazelit, ai premton të japë gjithçka, si të vetmen mënyrë për t’ia dalë me sukses. “Fitorja 7-1 ndaj Hofenhaimit ishte tepër e rëndësishme. E dimë shumë mirë që Bazeli është ekip ndryshe, ndaj e vetmja mënyrë për ta mundur është që të japim maksimumin në fushë. Ne do të jemi në formën më të mirë dhe do t’ua marrim frymën”, – deklaroi Gomez.