
Pasi ka mësuar që Dushku ia ka dedikuar golin pikërisht atij, është ndier më shumë se i nderuar. Klodian Duro po kalon një moment delikat, pasi është i pezulluar, mirëpo fakti që një lojtar me peshë si lezhjani mendon për të, e gëzon pa masë. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, lojtari nuk flet vetëm për këtë dhuratë të këndshme që i është bërë, por edhe për të ardhmen e tij te Tirana dhe gjithashtu te Kombëtarja.
Dushku jua dedikoi juve golin, si u ndiet kur e morët vesh?
Absolutisht i lumtur. Për më tepër në këto momente, kur unë jam jashtë grupit. E falënderoj pa masë, pasi ky dedikim vjen edhe nga një lojtar me shumë vlera dhe deciziv jo vetëm për Tiranën, por që mund t’i shërbejë shumë edhe Kombëtares.
Ju kanë mbetur edhe 2 javë kalendarike pezullim…
Në fakt s’i kam bërë llogaritë, ndoshta janë aq.
Me çfarë po merret Duro aktualisht?
Po stërvitem për të qenë i gatshëm për Tiranën time. Ndonëse jam i pezulluar, ky term nuk shkon shumë për shtat, pasi unë jam dhe mbetem bardheblu.
Duket sikur s’e pranoni këtë vendim, e vërtetë?
Unë kam zgjedhur që të stërvitem veçmas, vetëm ngaqë nuk dua t’i krijoj probleme klubit dhe të acaroj situatën. Por unë nuk largohem, duan apo nuk duan të tjerët.
U bë kohë e gjatë që nuk luani, ndjeni mall?
Shumë. Më ka marrë malli të luaj me Tiranën, pasi e ndjej këtë fanellë. Jeta ime është futbolli dhe s’bëj dot pa të.
A keni folur me drejtuesit për të ardhmen tuaj?
Po, kam folur me kryebashkiakun Basha dhe administratorin Tagani.
Çfarë u diskutua?
Të mbaj disa rezerva për veten (qesh).
Po me trajnerin?
Jo, ndonëse jam i gatshëm në çdo moment. Por një gjë të tillë s’ma kanë kërkuar. Unë jam në ekip dhe nuk kam asgjë me askënd. Nëse të tjerët kanë diçka me mua, atëherë le ta thonë publikisht, sikundër kam bërë edhe unë. E jo të hedhin gurin e të fshehin dorën, siç i thonë në gjuhën popullore.
Me përfundimin e pezullimit ju duhet të riktheheni. Po nëse Rubio vazhdon të mos ju pranojë, çfarë do të ndodhë?
Unë kam një kontratë dhe e kam firmosur me klubin. Për mua klubi është mbi të gjitha. Dhe duke respektuar detyrat e mia, nuk do kem probleme edhe me të tjerët, që do të bëjnë të njëjtën gjë.
A e keni ndjekur ekipin?
Sigurisht që po, si drejtpërsëdrejti edhe në televizor. Ekipi po ecën shumë mirë dhe është në rrugë të mbarë për titullin.
Së fundmi, a e ndjen Duro veten pjesë të Kombëtares?
Unë kurrë nuk kam dhënë dorëheqje, ndonëse nuk kam qenë në takimet e fundit. Por fillimisht pres sinjale nga vetja, pasi me rikthimin te Tirana do të rifitoj edhe fanellën kuqezi.