Alarm helmimi tek Ukraina! Vetëm pak orë përpara ndeshjes miqësore me Turqinë, dhjetë nga lojtarët titullarë të kombëtares së drejtuar nga Oleg Blohin janë ndjerë keq, meprobleme në stomak, çka ka bërë që ata të mos mund të luajnë dot ndaj Turqisë.
Ajo që është për t’u alarmuar është se një ngjarje e tillë ka ndodhur vetëm dy ditë përpara fillimit të kampionatit Europian.
"Nuk është aspak një situatë e këndshme", kanë qenë fjalët e trajnerit të Ukrainës, Oleg Blokhin, i detyruar që t’i bënte llogaritë me një infermeri të tejmbushur brenda pak minutash.
"Timoshçuk ka patur nevojë për një lavazh të stomakut", ka thënë ai, duke iu referuar gjendjes së lojtarit të Bayern Munchen. Nuk dihet ende se çfarë i ka bërë keq futbollistëve të Ukrainës, teksa sipas tij, positive është se një gjë e tillë ka ndodhur përpara ndeshjes me Suedinë dhe jo pikërisht atë ditë. Kjo, sepse, sipas Blokhin, ai do të kishte probleme të nxirrte në fushë 11 lojtarë.
Dhjetë lojtarët e kombëtares ukrainase janë ndjerë keq, pasi kanë ngrënë një drekë në Ingolstad të Gjermanisë, çka ka bërë që trajneri Blokhin të hedhë edhe akuza të rënda në adresë të gjermanëve.
"Unë nuk e di si është e vërteta, di vetëm që lojtarët e mi janë helmuar në Gjermani. Nuk dua të bëj politikë, por kjo nuk më duket normale", kanë qenë fjalët e tij.
Deklaratë të cilën gazeta "Bild" e ka quajtur si sulm ndaj Gjermanisë.
