Kombëtarja e Spanjës po bëhet gati për ndeshjen debutuese në kampionatin europian të Polonisë dhe Ukrainës, që do të zhvillohet të dielën ndaj Italisë. Futbollistët e "Furive të kuqe" kërkojnë të gjithë suksesin që në ndeshjen e parë dhe nuk i tremben aspak presionit që rëndon mbi ta, duke qenë se janë kampionët në fuqi.
Ndoshta një nga arsyet e grintës së lojtarëve iberikas është edhe premioja që do të marrin në rast se rikonfirmohen kampionë të Evropës. Mësohet se FederataSpanjolle e Futbollit do t’i japë çdo futbollisti të kombëtares një shifër prej 300 mijë eurosh si shpërblim.
Alvaro Negredo, sulmuesi i Spanjës, ka bërë një koment për ndeshjen debutuese të skuadrës së tij në Euro 2012, që do të zhvillohet ndaj Italisë: "Duhet t’i mposhtim të kaltrit. Nuk do kishte asnjë mënyrë më të mirë për të filluar Evropianin. Por ne duhet të qëndrojmë gati. Italianët janë shumë të fortë në mbrojtje, edhe pse duhet ta pranojmë që dhe ne nuk mbetemi pas. Gjithsesi duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mos i nënvlerësojmë rivalët".
Imun ndaj besëtytnive, Pedro Rodriguez nuk i fsheh mendimet e tij, sipas të cilave Spanja është favoritja për fitoren: "Ne jemi detyruar përherë të bëjmë llogaritë me presionin që ushtrohet mbi ekipin, duke qenë se kemi lojtarët më të mirë në botë. Gjithsesi Spanja është skuadra favorite. E dimë që rruga drejt finales është e gjatë dhe e vështirë, por nuk trembemi aspak. Villa? Është një futbollist shumë i rëndësishëm dhe mungesa e tij do të ndihet padyshim, – thekson sulmuesi spanjoll. – Italia? Nuk i trembemi aspak".
Lojtari i Chelsea, Juan Mata, ka theksuar se objektivi i të gjithë futbollistëve të kombëtares spanjolle është i njëjtë: "Duam të fitojmë kampionatin evropian. Natyrisht që jemi të lodhur, edhe për shkak të sezonit të ngjeshur që kemi luajtur me klubet respektive, por në momentin që ngre lart kupën e Europës, gjithçka lihet pas krahëve. Villa? Do na mungojnë shumë golat e tij, por për fatin tonë të mirë kemi Torres. Jam i bindur se Fernando do shënojë shumë".
Ish-trajneri i kombëtares spanjolle, Luis Arragones, i ka thurur elozhe Fernando Torresit: "Me mua Torres do ishte gjithnjë titullar. Edhe në ndeshjen me Italinë, nëse do isha unë trajner, do luante ai, sepse mund të japë më të mirën. Favoritë? Ne jemi dhe e kemi treguar në fushë".
