Kosova nuk sheh hair nga ‘Euro 2012’


Përveç yjeve të futbollit evropian, ‘Euro 2012’ do të tubojë në Poloni e Ukrainë edhe udhëheqës të UEFA-s, FIFA-s dhe federatave të ndryshme evropiane. Megjithatë, prijësit e Federatës së Futbollit të Kosovës nuk e shohin të arsyeshme që të udhëtojnë drejt këtyre dy shteteve për të lobuar, me qëllim të përshpejtimit të ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar.
Të premten filloi Kampionati Evropian, i cili do të zhvillohet nga 8 qershori e deri më 1 korrik në Poloni e Ukrainë.
Në këto dy shtete do të tubohen yjet më të mëdhenj të futbollit evropian. Por, jo vetëm ata. Në këto dy shtete do të qëndrojnë edhe shumë udhëheqës të federatave të shteteve evropiane, respektivisht të UEFA-s, por edhe të FIFA-s, në të cilat organizata Kosova po bën përpjekje të jashtëzakonshme për t’u inkuadruar.
Por, pavarësisht kësaj, drejt Polonisë e Ukrainës nuk pritet të udhëtojë ndonjë delegacion i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) me qëllim që të loboj për ta përshpejtuar procesin e anëtarësimit të vendit tonë në UEFA e FIFA. Kjo pasi udhëheqësit e futbollit kosovar konsiderojnë se një lobim i tillë nuk do të jepte rezultate aq të dëshirueshme.
“Jo, nuk do të udhëtojmë. I kemi disa punë të rëndësishme për t’i kryer brenda Kosovës. Nuk duam të lobojmë nëpër kësi rrugë, duke u takuar me njerëz të ndryshëm nëpër tribuna të stadiumeve apo nëpër korridore të hoteleve. Jemi të interesuar të lobojmë në mënyrë institucionale, ashtu siç duhet”, deklaroi për Express sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.
Madje, ai theksoi se shtëpia e futbollit në vend nuk ka arsye më që të loboj në kësi mënyra, pasi ajo tashmë ka krijuar kontakte të shumta me njerëz të ndryshëm të UEFA-s, FIFA-s dhe federatave të shteteve të ndryshme, të cilët tashmë i dinë aspiratat e FFK-së dhe në momentin që do t’u jepet mundësia, ata do ta ndihmojnë Kosovën drejt anëtarësimit në këto dy organizata.
Salhiu potencoi se vetëm numri një i futbollit kosovar, Fadil Vokrri, ka mundësi ta përcjellë nga afër ndonjë ndeshje të këtij Evropiani dhe atëherë sigurisht se do të përpiqet të lobojë në favor të futbollit kosovar.