Kukësi, Ivanaj synon rikthimin te debutuesit

Ish-sulmuesi Kreshnik Ivanaj, i larguar në janar drejt Burrelit, është i gatshëm për t’u rikthyer në sfidën seleksionuese që do të bëjë Kukësi. “Kam shumë oferta nga klube të Kategorisë së Parë, por pse ta fsheh do kisha dëshirë të vishja sërish fanellën e Kukësit. Natyrisht, dua që stafi i ri të më provojë edhe mua. Kam kaluar një fazë mjaft të mirë te Kukësi, ku shënova dhe 9 gola. Jam mirëpritur nga tifozëria vendëse, me të cilën mbaj ende lidhje”, – ka thënë Ivanaj për “Panorama Sport”. Lojtari, i shpallur si golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë me 27 gola, në fakt mbeti i pakurorëzuar me “Këpucën e Artë”, pasi Këshilli i Etikës në FSHF mori vendimin që ky trofe të mos dorëzohej.
Të huajt - Jashtë vëmendjes së stafit kuksian nuk mbeten as lojtarët e huaj, të cilët pritet të provohen në fazën përgatitore. Menaxherët turq, por dhe të tjerë që menaxhojnë futbollistë nga Spanja e Serbia, pritet të sjellin për provë disa lojtarë nga këto vende, por dhe brazilianë. Presidenca e ka marrë në konsideratë dhe tregun e huaj të futbollistëve, por prioritet u ka dhënë atyre vendës dhe nga Kosova. Të njëjtën dëshirë me të kanë dhe shumë lojtarë vendës, dhe sigurisht ata që ishin në sezonin e fundit. Asnjë nuk është larguar deri më tani nga ekipi, por të gjithë do të provohen pas datës 20 qershor. Sakaq, në sezonin e kaluar Kukësi pati vetëm një të huaj në ekip, organizatorin Milosh Jevdjeviç, i cili bënte diferencën me lojtarët e tjerë për nga klasi dhe cilësia. Mirëpo, specialistët thonë se ai nuk mund të bëjë këtë dallim në Superligë dhe se do i duhet shumë punë, kryesisht në përgatitje fizike dhe në markim për të mbajtur vendin në ekip.