Merkato, dështon “pazari” i Laçit në Fier

Përpjekjet e kurbinasve për të nisur me riformatimin e shpejtë të ekipit të ri duket se i kanë përfshirë të gjithë në Laç. Në kampin kurbinas jo vetëm stafi teknik, por edhe drejtuesit janë duke u marrë me tratativat e merkatos. Mësohet se në fokusin e bardhezinjve kanë qenë futbollistë të ndryshëm, tre prej të cilëve nga Apolonia e Fierit. Gërxho, Rama dhe Ribaj ishin si synime, por deri më tani me asnjërin prej tyre nuk është rënë dakord. Ndërkohë, laçianët kanë njoftuar se nga fillimi i javës që vjen, do të startojnë me seancat seleksionuese. Por sa i përket nisjes së punës, ende nuk ka asnjë datë zyrtare, kësisoj për lojtarët pushimet vazhdojnë. Portieri Bledar Malaj, i konsideruar si e ardhmja e portës së Laçit, mbeti në rolin e sfidantit gjatë kampionatit të kaluar, teksa Daiu ka preferuar Vashakun. “Kam luajtur pak, mirëpo duke ditur se portier i parë është një lojtar me kualitet si Vashaku, nuk mund të them asgjë. Por, unë jam stërvitur goxha mirë dhe prej tij kam përfituar mjaft. Nëse do të më jepet mundësia për të ruajtur kuadratin e skuadrës kurbinase, sigurisht që do bëj më të mirën”, – tha ai.