Prostitutat i gëzohen Evropianit


Prostitutat nga Ukraina shpresojnë t’u shtohet puna gjatë kampionatit evropian në futboll Euro 2012. Një prej tyre, Yulia, ka paralajmëruar se do të rritë çmimin nga 60 në 90 euro për një orë me shpresë të grumbullojë para të mjaftueshme për t’u shkolluar. Kurse, autoritetet njoftojnë se rreziku nga sëmundjet e përcjella nga marrëdhëniet seksuale është i madh.
Yulia, një prostitutë 20 vjeçe nga Ukraina, pret me gëzim dhe ankth fillimin e Euro 2012. Ajo shpreson se gara kontinentale e futbollit do t’i ofrojë asaj mundësinë e përfitimeve të mjaftueshme për të paguar shkollimin vitin e ardhshëm.
Por, ajo pranon se “çdo vajzë është e frikësuar”. “Gjithçka mund të ndodhë”, u shpreh ajo. Ukraina, njëra prej bashkë-nikoqireve të garës së bashku me Poloninë, ka numër të madh të femrave që punojnë si prostituta në rrugë, bare dhe hotele të katër qyteteve nikoqire, të gatshme të ‘përkujdesen’ për turistët që do të përcjellin ngjarjen kryesore të futbollit nga kontinenti evropian.
Ekspertët kanë paralajmëruar për rrezikun e sëmundjeve, të cilat barten nga marrëdhëniet seksuale. Rreth 1.1 për qind e popullsisë së rritur dhe afro një nga çdo 10 prostituta janë të infektuar me HIV, virus që shkakton AIDS-in, sipas agjencisë së AIDS-it në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
“Ata do të luajnë rulet ukrainas”, tha Kostiantyn Pertsovskiy, zëdhënës i agjencisë ndërkombëtare për HIV/AIDS në Ukrainë që do të bëjë shpërndarjen e afro 1 milionë prezervativë për tifozë dhe prostituta gjatë garës.
“Nëse një tifoz nuk përdor prezervativ, ka gjasa të mëdha se do të përfundojë i infektuar”, shtoi Pertsovskiy. La Strada, grup ukrainas për të drejtat e femrave, është i brengosur rreth shtimit të prostitucionit te të miturit.
Yulia, e cila refuzoi të tregojë mbiemrin e saj nga frika se do të ndiqet, ka mësuar disa fjalë bazike në gjuhën angleze, që beson se do t’i mjaftonte të negociojë me klientët potencialë gjatë Euro 2012.
Ajo planifikon të rritë çmimin e shërbimeve seksuale për një orë nga 60 në 90 euro dhe shpreson që vitin e ardhshëm të shkojë në kolegj për të studiuar muzikën dhe të ndjekë ëndrrën – të bëhet këngëtare.
Yulia erdhi në Kiev për të ikur nga varfëria në qytetin provincial në jug të Ukrainës, ku prindërit e saj janë të papunë. Pa shkollim, pa gjasa për t’u punësuar dhe në mungesë të përkrahjes nga familja, ajo u bë prostitutë në moshën 18 vjeç.
Ajo tani përfiton nga rreth 1000 euro në muaj, duke shërbyer mesatarisht 2-3 klientë në ditë në hotele, apartamente dhe vetura. Për shumëkënd ky është përfitim i lakmueshëm duke krahasuar se mesatarja e pagave shtetërore në Ukrainë është 300 euro. Por, edhe paratë vijnë me çmim.
“Fizikisht, moralisht dhe në anën psikologjike është shumë vështirë. Çdo klient kërkon një qasje të veçantë, ju duhet t’i kënaqni të gjithë”, tha Yulia pasi erdhi në qendrën e përkrahjes në dalje të Kievit për t’u testuar për sëmundje, të cilat barten me marrëdhënie seksuale dhe të marrë prezervativët pa pagesë.
“Nuk është lehtë, gjithmonë ekziston frika. Çdo femër është e frikësuar sepse nuk e di se çka do të shohë, çka do t’i ndodhë, çka të pret. Gjithçka mund të ndodhë”, theksoi ajo.
Yulia tregoi një rast kur ajo ishte ftuar në një apartament në Kiev dhe në vend të një klienti, ajo i takoi dy persona të cilët e dhunuan.
“Nuk mund të dilja nga apartamenti. Nuk mund t’i bindja, andaj vetëm i mbylla sytë dhe kjo ishte e tëra”, tregoi ajo.
Por, zyrtarët e garës besojnë se tifozët do të jenë të zënë duke shijuar ndeshjet e futbollit dhe do të injorojnë ‘shërbimet e rrugës’.