Pavarësisht se ende nuk kanë marrë një telefonatë nga ana e drejtuesve të skuadrës së Partizanit për të startuar seancat stërvitore, asnjë nga lojtarët e të kuqve nuk është larguar zyrtarisht nga ekipi. Të gjithë ata që mbyllën sezonin e shkuar me “demat”, shpresojnë të luajnë edhe një tjetër sezon me këtë ekip, edhe pse një gjë e tillë nuk varet drejtpërdrejt nga ata, apo nga stafi teknik. Trajnerët e të kuqve janë shprehur se me grupin aktual është shumë e vështirë që Partizani ta përballojë Kategorinë e Parë dhe nuk mund të flitet në asnjë mënyrë për ngjitjen në Superiore. Por, për të zhvilluar merkato, më parë duhet që të vijnë sponsorët e rinj dhe të zgjidhen të gjitha problemet ligjore që kanë drejtuesit. Stafi teknik momentalisht nuk ka përcaktuar asgjë se si do të procedohet me futbollistët aktualë por, sipas të gjitha gjasave, ata do t’i nënshtrohen një testimi.
