Dy ditë më parë u bë e ditur se drejtuesit dinamovitë do t’i drejtohen Gjykatës së Shkallës së Parë për rikthimin e stemës që tashmë është në zotërim të Ministrisë së Brendshme. Përveç kësaj, mësohet se padisë do t’i bashkëngjitet edhe kërkesa për dëmshpërblim. Ditët e javës që sapo ka nisur, ata do t’i drejtohen gjykatës për këtë padrejtësi dhe së bashku me avokatët e tyre mbrojtës do të depozitojnë edhe këtë ankimim. Pra, presidenca e bluve të kryeqytetit po kërkon me çdo kusht që drejtësia të kthehet në vend, po ashtu edhe për dëmin moral që po u shkaktohet të kërkojnë shpërblimin. Ende nuk bëhet e ditur shuma që do të kërkohet. Ndërkaq, mbetet pezull edhe përzgjedhja e drejtuesve që do të marrin në dorë skuadrën që do të militojë në Kategorinë e Parë. Për sa u përket trajnerëve që mbyllën këtë vit, ata janë duke punuar me moshat dhe po strukturojnë pak nga pak ekipin e ri.
