Trukimet në Itali, Bolonja shkon drejt shkrirjes

Klubi i Bolonjës është në telashe, pasi 18 prej lojtarëve të saj rrezikojnë të dënohen nga Federata italiane. Kuqeblutë rrezikojnë të shkrihen, pasi i gjithë ekipi mund të dënohet që të mos luajë asnjë aktivitet sportive për 6 muaj. Prokuroria e Romës ka thërritur pjesën më të madhe të ekipit, përfshirë edhe ish- kapitenin Marko di Vaio për t’i marrë në pyetje. Ata akuzohen se nuk kanë kallëzuar krimin, ndërsa është tentuar që të trukohet një sfidë e kampionatit italian. Hetuesit kanë prova se Andrea Masielo i kishte propozuar lojtarit të ekipit kuqeblu, Daniele Portanova, që të trukonte ndeshjen, por ky i fundit edhe pse refuzoi nuk shkoi në polici për të treguar këtë veprim. Sipas drejtësisë sportive bëhet fjalë për një moskallëzim krimi nga i gjithë ekipi.
Rrëfimi Një prej të lojtarëve të Bolonjës, Daniele Portanova, u paraqet hetuesve versionin e tij në lidhje me një trukim të mundshëm të takimit midis Bolonjës dhe Barit. “Për të gjithë këtë çështje unë vura në dijeni skuadrën e Bolonjës të enjten, një ditë pas takimit me tre barezët, duke i këshilluar të gjithë që të ishin të kujdesshëm dhe të mos pranonin asnjë ofertë të çuditshme nga ana e njerëzve që mund të ishin pak të pastër”, u deklaroi mbrojtësi prokurorëve. Por kjo bën që të mos t’ia hedhë kaq lehtë, pasi kështu implikohet e gjithë skuadra. Masielo gjatë sezonit 2010-2011 kishte tentuar që të trukonte sfidën me kuqeblutë, ndërsa barezët kishin rënë nga kategoria. Masielo kishte tentuar që të afronte mbrojtësin dhe nëpërmjet tij të mund të realizonte “stisjen” e takimit. Por mbrojtësi dhe shokët e ekipit e refuzuan. Por faktet janë të qarta dhe drejtësia sportive mund të skualifikojë lojtarët kuqeblu. Kjo do të thotë që Bolonja do ta ketë tepër të vështirë të krijojë një ekip të fortë në sezonin e ardhshëm.