Sulmuesi, i grumbulluar me Suedinë për Europianin, thotë: “Jam i lumtur tek Milani”. Edhe trajneri i francezëve, Ançeloti e mohon
Ibra-Paris Sen Zherman, “martesë” e pamundur
“Martesa” aq shumë e përfolur mes Paris Sen Zhermenit dhe Zllatan Ibrahimoviçit nuk do të bëhet. Përpara ndërhyrjes së mundshme të Milanit, janë vetë protagonistët, që janë tërhequr. Ibrahimoviç, pas golit ndaj Serbisë në miqësoren me Suedinë, ka deklaruar dashurinë e tij për kuqezinjtë: “PSG-ja? Jo, jo. Thuhen shumë gjëra, por unë jam i lumtur te Milani”. Akoma më i qartë është dhe trajneri i francezëve, italiani Ançeloti: “Ibra nuk na duhet”. Nëse Ibra nuk e do PSG-në, PSG-ja, nuk e do Ibrën. Nuk dihet për momentin nëse është një taktikë për t’u fshehur, apo jo. E sigurt është që deklaratat e të dyja palëve janë të forta dhe të vendosura dhe këtë herë duken edhe të sinqerta. Dëshira për të qëndruar te Milani, është theksuar këtë herë në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Serbinë, ku Ibra shënoi dhe gol. “Duhet të shkoj te PSG-ja? Jo, jo. Unë jam shumë mirë te Milani dhe do të qëndroj aty. Thuhen shumë gjëra për mua, por asgjë nuk është e vërtetë”.
Nga ana tjetër, është edhe Karlo Ançeloti, trajneri i Parisit, i cili ka mohuar se i ka kërkuar pronarëve të klubit për të bërë një super ofertë për sulmuesin suedez: “Politika e Paris Sen Zhermenit, – shpjegon ai, – është për të investuar tek të rinjtë e talentuar për të ndërtuar një skuadër me rendiment të besueshëm për 4-5 vjet. Ibra nuk na duhet dhe nuk bën pjesë në këto parametra. Tiago Silva? Nuk e besoj se do ta lërë Milanin”.
