Çani: Me mua Shqipëria më e fortë

Edgar Çani do të luajë për herë të parë me ekipin tonë përfaqësues. Sulmuesi shqiptar i rritur në Itali (ka ikur 11 muajsh nga Shqipëria), tashmë pjesë e skuadrës Polonia Varshava në kampionatin polak, ka treguar emocionet e para pasi mori ftesën e trajnerit Xhani De Biazi për ndeshjen miqësore ndaj Gjeorgjisë.

Çani ka zbuluar sakaq edhe një sekret të vogël, i cili i përket së shkuarës, kur ai sapo kishte shkuar te skuadra e Palermos, drejtuesit e së cilës nuk e lejuan që të udhëtonte drejt Tiranës për të luajtur një ndeshje me ekipin kuqezi.

“Jam i lumtur që më në fund mora një ftesë nga Shqipëria. Kam pasur shansin në fakt që ta vesh fanellën e vendit tim para disa vitesh kur isha te Peskara dhe më pas kalova te Palermo. M’u bë një ftesë nga trajneri i Shqipërisë në atë kohë, por drejtuesit e Palermos nuk pranuan që unë të shkoja në Shqipëri, pasi isha në momentet kur po kryhej transferimi nga Peskara te Palermo dhe nuk ishin firmosur të gjitha detajet e kontratës".

"Sigurisht, nuk kam pritur ftesë nga Italia, edhe pse aty kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime. Familja ime emigroi nga Shqipëria drejt Italisë kur unë isha shumë i vogël dhe u rrita e studiova në Peskara. Gjithsesi, jam mjaft i kënaqur që tani do luaj për Shqipërinë”, ka thënë Çani në një intervistë për mediat polake.