
Të mërkurën, në 15:00, sipas orës sonë lokale, ose në 18:00, sipas orës lokale gjeorgjiane, luhet miqësorja mes Gjeorgjisë dhe Shqipërisë, Të dyja kombëtaret e shikojnë si një test përgatitor në kuadrin e fushatës eliminatore për Botërorin 2014, që do të luhet në Brazil. Do të jetë stadiumi “Mikheil Meshi”, arena ku kuqezinjtë tanë do të performojnë në të parin takim zyrtar, me në krye trajnerin Italian, De Biazi. I cili bën debutimin e tij me Shqipërinë, pikërisht në Tbilisi, bashkë me tre kuqezinj të tjerë, që i ka grumbulluar për këtë sfidë: Edgar Cani, Armando Sadiku dhe Hair Zeqiri. Mbetet të shihet se çfarë është në gjendje të bëjë kombëtarja jonë pa praninë e titullarëve të tillë, si Lorik Cana dhe Debatik Curri, të dëmtuar, apo pa goleadorët Hamdi Salihi dhe Erjon Bogdani, që kanë pasur impenjime me klubet e tyre dhe nuk janë preferuar nga De Biazi për këtë miqësore. Të martën, trajneri i Gjeorgjisë, Temur Ketsbaia, ka mbajtur një konferencë për shtyp, në të cilën ka shpalosur pikëpamjet dhe objektivat e tij për përballjn me Shqipërinë. “Çdo ditë që kalon dhe ne i afrohemi fushatës kualifikuese për Botërorin 2014, ndaj çdo ndeshje e mbetur është shumë e rëndësishme për Gjeorgjinë. Më 29 shkurt do të zhvillojmë një miqësore me Shqipërinë, në fushën tonë, dhe ne të gjithë duam ta fillojmë vitin 2012 me fitore. Jemi në një periudhë vëzhgimi të kujdesshëm të lojtarëve gjeorgjianë, kudo që ata luajnë, me qëllim që të thirrim më të mirët në kombëtare. Ne kemi bërë përgatitjet e duhura për miqësoren me shqiptarët, por fokusi ynë i përgatitjeve është më larg se kaq, ka të bëjë me eliminatoret e Botërorit 2014. Megjithatë, këmbëngul në faktinse qëllimi ynë ndaj Shqipërisë është fitorja. Shpresojmë që puna dhe angazhimi ynë të sjellë rezultatet e duhura.”
Më tej, gazetarët vendës e kanë pyetur trajnerin e Gjeorgjisë për aspekte të ndryshme të kombëtares që ai drejton.Cili do të jetë kapiteni i ekipit në ndeshjen miqësore kundër Shqipërisë?
Zurab Khizanishvili (futbollist që luan në radhët e Kayserispor, në Turqi).
Si do ta komentoni zgjedhjen tuaj, për të mos e grumbulluar Kaladzen për këtë ndeshje?
Vetë Kaladze mendoi se ishte më mirë, për shkak se ai vendosi të mos vinte për miqësoren me Shqipërinë. Nuk ka nevojë ta përsërisim faktin që Kaladze është vetë historia e futbollit gjeorgjian, është një nga lojtarët më të suksesshëm që ka nxjerrë kombi ynë. Kombëtarja e Gjeorgjisë ka fituar shumë prej tij, ndaj i takon Kaladzes të vendosë se çdo të bëjë në të ardhmen. Unë kam qenë shok ekipi dhe trajner i tij. Kaladze ka qenë dhe mbetet modeli për t’u ndjekur në kombëtaren gjeorgjiane, si në fushën e lojës, edhe jashtë saj. Largimi i tij i pritshëm nga kombëtarja është për të ardhur keq, por herët a vonë, të gjithë do të lëvizin. Disa tërhiqen më herët nga kombëtarja, disa të tjerë më vonë, kjo është edhe zgjedhgje personale.
A ka ndonjë lojtar që nuk është grumbulluar për shkak të dëmtimit?
- Sigurisht, do të kisha ftuar Mchedlidze, por, për fat të keq, ishte i dëmtuar dhe jo në gjendje për të marrë pjesë në ndeshjen miqësore kundër Shqipërisë.
A jeni të kënaqur me kundërshtarin e kësaj ndeshjeje miqësore, i cili do të testojë forcat e ekipit që drejtoni para fillimit të turneut kualifikues?
Për fat të keq, jo gjithmonë gjejmë kundërshtarët që duam për një miqësore, por dua të nenvizoj faktin se edhe Shqipëria është një kundërshtar i fortë. Ju siguroj se nuk është e lehtë të mundësh. Prandaj, jam i kënaqur që niveli i ekipit kundërshtar të imponon respekt, por edhe një dëshirë për të luajtur kundër tij. Pastaj, deri në fillimin e fushatës kualifikuese për Botërorin 2014 do të kemi miqësore të tjera, të cilat do të na shërbejnë për kolaudimin e grupit dhe naturisht të formacionit. Shqipëria është shansi i parë në këtë drejtim, ndaj duam të tregojmë më të mirën, edhe për faktin se është ndeshja e parë zyrtare për vitin 2012.
Sa e vështirë do të jetë për ju si trajner që të ndryshoni gjeneratën e vjetër me atë të të rinjve në kombëtare?
- Askush nuk mund të luajë gjithmonë në një ekip, procesi i ndryshimit të gjeneratave është i pashmangshëm. Kështu, veteranët duhet të zëvendësohen, ndërkohë që unë kam shpresë se do t’i gjejmë të duhurit për këtë rifreskim të kombëtares.
Po në lidhje me kundërshtarin e radhës, ç’mendim keni?
Shqipëria ka qenë gjithmonë luftëtare, asaj nuk i kanë munguar kurrë lojtarët e fortë. Si lojtar kam luajtur shumë herë kundër shqiptarëve, edhe si kombëtare jemi ndeshur mjaft raste me Shqipërinë, kështu që e njohim mirë njëri-tjetrin. Mund të them se të luash si mysafir në fushën e Shqipërisë është shumë e vështirë të kesh sukses. Shqiptarët janë të aftë, kanë një kombëtare të kualifikuar teknike, me një trajner të ri italian.
Cilat janë rregullat e kësaj ndeshjeje? Sa zëvendësime do të keni të drejtë të bëni, apo mund t’i aktivizoni të gjithë lojtarët që keni në dispozicion?
Gjatë zhvillimit të lojës do të vendos nëse do t’i aktivizoj të gjithë lojtarët e thirrur apo jo, por kemi të drejtën për të ndryshuar sa herë të duam në formacion, sepse është një ndeshje miqësore dhe zhvillohet për të testuar sa më shumë elementë. Lojtarët që kam thirrur për miqësoren me Shqipërinë janë të rinj dhe premtues, në klubet e tyre janë përfaqësuar mirë, ndaj ky është një shans për ta merituar fanellën e kombëtares.
Lojtarët që ka grumbulluar Ketsbaia për miqësoren me Shqipërinë
Portierë
Nukri Revishvili (Krasnodar, Rusi), Giorgi Loria (Dinamo Tbilisi), Roin Kvaskhvadze (Zestaponi)
Mbrojtës
Zurab Khizanishvil (Kayserispor, Turqi), Ucha Lobzhanidze (Kryvbas, Ukrainë), Alexander Amisulashvili (Krasnodar, Rusi), Guram Kashia (Vitesse, Holandë), Gia Grigalava (Volga, Rusia), Akaki Khubutia (Samsunspor, Turqi), David Kvirkvelia (Anorthosis, Qipro), Mamuka Kobakhidze (Zestaponi)
Mesfushorë
Murtaz Daushvili (Karpaty, Lviv, Ukrainë), Jano Ananidze (Spartak, Moskë, Rusi), Alexander Kobakhidze (Arsenal, Kiev, Ukrainë), Shota Grigalashvili (Zestafoni), Tornike Gorgiashvili (Zestafoni), Levan Kenia (Shalke 04, Gjermani), Irakli Dzaria (Dinamo Tbilisi), Jaba Kankava (Kryvbas, Ukrainë)
Sulmues
Otar Martsvaladze(Krasnodar, Rusi), David Targamadze (Illychivets, Ukrainëe), Vladimer Dvalishvili (Polonia, Pololni), Nikoloz Gelashvili (Bokum, Gjermani)