Lampard e pohon: Kam probleme me trajnerin



Frank Lampard e ka pranuar se midis tij dhe teknikut Andre Villas Boas ka mosmarrëveshje. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk është aq shqetësuese sa duket. Ajo që ka rëndësi është suksesi i skuadrës. Futbollisti në takimin ndaj Boltonit, këtë fundjavë, realizoi golin e tij të 150-të në Premier League me Blutë londinezë.

“Mendoj se nëse e shikon nga jashtë, mund të arrish në përfundimin se kjo marrëdhënie nuk është ideale, por është me rëndësi që të mos përqendrohesh në marrëdhëniet personale. Kur këto janë negative, njerëzve u pëlqen të luajnë me këtë fakt”, deklaroi mesfushori anglez.

Më pas ai foli për çështjet ku nuk ndahet i njëjti mendim me portugezin: “Ka disa futbollistë, të cilëve nuk u pëlqen të mos luajnë. Unë kam shumë kohë këtu. Jam 33 vjeç dhe jam realist. S’është e thënë që të luaj çdo ndeshje, por kur ulem në stol, dua të shikoj Çhelsea të fitojë”, vijoi më tej Lampard.

Në fund, ai shtoi se në këto momente të gjithë ata që e duan klubin janë të shqetësuar.