Juventus, në sulm për Humels dhe Balotelin

Vazhdon në mënyrën më të mirë merkatoja e Juventusit të Antonio Kontes. Pas përforcimeve në mesfushë, drejtuesit bardhezi kanë nisur tentativat e para për të përforcuar sulmin dhe mbrojtjen. Ëndrra e drejtuesve të “Zonjës së Vjetër” mbetet gjermani Mats Humels, e nga ana tjetër sulmuesi Mario Baloteli.
Mbrojtësi Ka qenë vetë trajneri Antonio Konte, i cili ka insistuar të ketë në skuadër mbrojtësin gjerman. Pas ndërprerjes së tratativave për shkak se drejtuesit e Borusia Dortmundit e vlerësojnë kartonin e tij mbi 20 milionë euro, situata ka ndryshuar shumë gjatë ditëve të fundit. Juventusi nuk ishte i gatshëm të paguante shifrën e kërkuar nga drejtuesit gjermanë, si rrjedhojë ka përfshirë në tavolinën e tratativave kartonin e sulmuesit Alesandro Matri. Italiani shikohet me sy të mirë nga drejtuesit e Borusias, të cilët duket se kanë lënë të kuptohet se do ishin të gatshëm të pranonin këtë shkëmbim futbollistësh, në rast se Juventusi do ofronte minimumi 10 milionë euro. Duke parë mungesën e likuiditetit, bardhezinjtë po mendojnë ta mbulojnë shumën e kërkuar nga gjermanët, duke përfshirë në tratativa mesfushorin Milos Krasiç. Oferta e “Zonjës së Vjetër” është më se bujare, si rrjedhojë drejtuesit gjermanë mund të pranojnë të firmosin transferimin e Humelsit në Torino, në këmbim të Krasiç dhe Matrit në Gjermani.
Sulmuesi Mario Baloteli është sulmuesi që Juventusi po kërkon të blejë prej kohësh. Bardhezinjtë pasi kanë ndjekur për shumë kohë Van Persin dhe Pogba, janë hedhur në sulm seriozisht për sulmuesin breshian, i cili kërkon të largohet nga Mançester Siti. Për momentin tratativat nuk kanë filluar, por mund të startojnë në përfundim të Evropianit. Baloteli nuk e ka fshehur kurrë dëshirën e tij për t’u rikthyer në Serinë A. Dhe gjatë ditëve të fundit, menaxheri i tij Mino Raiola është parë shpeshherë në shoqërinë e drejtuesve të Juventusit. Si rrjedhojë, gjithçka mund të marrë jetë shpejt, meqenëse menaxheri i sulmuesit italian ka një raport të shkëlqyer me drejtuesit bardhezi.