skip to main |
skip to sidebar
Krujf: Rivaliteti Barça-Real, pengesë për Spanjën

Holandezi beson se Hoze Mourinjo ka “nxitur” një luftë të ashpër mes lojtarëve të dy gjigandëve spanjollë, cka mund të jetë një pengesë për iberikët në finalet e “Euro 2012”, ndërsa shton se Gjermania është përmirësuar shumë gjatë viteve të fundit. Legjenda e futbollit holandez, Johan Krujf, paralajmëron kështu se fushata e Spanjës në Ukrainë dhe Portugali mund të prishet nga rivaliteti i intensifikuar mes lojtarëve të Real Madrid dhe atyre të Barcelonës, që përbëjnë edhe pjesën kryesor të kombëtares iberike. Që kur Hoze Mourinjo u bë trajner në “Santiago Bernabeu”, përplasjet famëkeqe të dy klubeve të “El Classicos” kanë prodhuar një numër të konsiderueshëm episodesh negative midis futbollistëve dhe stafeve drejtuese. Dhe Krujf, i cili kaloi vite të tëra në “Camp Nou” si lojtar dhe trajner, beson se hidhërimi mes dy kampeve mund të jetë i dëmshëm për shanset e “La Roja”, që të mbrojnë kurorën e tyre kontinentale. “Spanja ka një ekip shumë të mirë, por trajneri Vicente del Boske ka përpara një pengesë jo të vogël për ta kapërcyer, që ia ka krijuar Hoze Mourinjo. Portugezi, me mënyrën e tij të luftës mes dy klubeve, i ka armiqësuar ndjeshëm lojtarët e Real Madridit dhe ata të Barcelonës, – tha legjenda holandeze për “De Telegraaf”. – Nuk ka favoritë ky Europian, për mendimin tim, pasi ka shumë ekipe të forta. Është interesante, këtë herë në mënyrë të veçantë, që cilësitë e lojtarëve individualë nuk thonë asgjë për ekipet e tyre. Portugalia është një shembull i mirë. Nëse shikoni disa nga emrat e saj, do të thotë se duhet të presim një ekip të madh luzitan, por në një mënyrë apo një tjetër, ata nuk shquhet si një ekip.”
Hollanda gjendet së bashku me Gjermaninë, Portugalinë dhe Danimarkën në një grup (B), ndërsa Krujf mendon se gjithcka do të jetë e hapur.
“Gjermanët janë, natyrisht, një ekip shumë i mirë. Ata mund të kenë humbur ndonjë ndeshje gjatë këtyre kohëve përgatitje për “Euro 2012”, por kjo s’do të thotë asgjë. Gjermanët dita-ditës vetëm sa janë bërë më rrezikshëm, nuk kanë shkuar në të kundërtën. Ndërkohë, Danimarka nuk është me siguri e dobët. Kjo është bukuria e këtij grupi, ku bën pjesë edhe Hollanda, sepse askush nuk e di dhe nuk mund të parashikojë se kush do të fitojë dhe kush do të kualifikohet për më tej.”
Portokallinjtë i nisin finalet e “Euro 2012” me ndeshjen kundër danezëve, në orën 18:00, më 9 qershor.