
Cristiano Ronaldo e ka regjistruar një tjetër rekord. Ylli i Real Madridit është bërë futbollisti i parë portugez që shënon gol në pesë evenimente të rëndësishme. Me dy golat e realizuara ndaj Holandës në Euro 2012, 27 vjeçari e vazhdoi serinë e golave, të cilën e kishte nisur në Euro 2004, për ta vazhduar më pas në Botërorin 2006, Euro 2008 dhe Botërorin 2010.
Cristiano Ronaldo vazhdon ta shkruajë emrin e tij në histori të futbollit. Futbollisti i Real Madridit ka hyrë në histori pasi është bërë portugezi i parë që shënon gol në pesë kompeticione të rëndësishme, teksa realizoi dy gola në fitoren 2:1 ndaj Holandës në ndeshjen e fundit të Grupit B në kampionatin evropian ‘Euro 2012’.
Ylli portugez e vazhdoi formën magjike, të cilën e kishte nisur qysh në vitin 2004. Në fakt, 27 vjeçari e kishte shënuar golin e parë në një aktivitet të rëndësishëm tetë vjet më parë, më 2004, pasi ishte futur në lojë si zëvendësues për të shënuar për Portugalinë në humbjen 2:1 nga Turqia në ‘Euro 2004’, që ishte mbajtur pikërisht në atdheun e tij.
Ish futbollisti i Portos dhe i Manchester Unitedit po ashtu u regjistrua në listën e golashënuesve dy vjet më vonë në ‘Botërorin 2006’ kundër Iranit në fazën e grupeve, në kompeticionin që ishte mbajtur në Gjermani.
Ish futbollisti më i mirë në botë e vazhdoi avazin e vjetër, duke e tundur portën kundërshtare edhe në ‘Euro 2008’, që ishte mbajtur në Zvicër dhe Austri. Ai kishte shënuar 8 gola në fazën kualifikuese, derisa shënoi një gol edhe në Evropian në fitoren 3:1 ndaj Republikës Çeke.
Emri i Ronaldos u shënua në listën e realizuesve edhe në ‘Botërorin 2010’, që ishte mbajtur në Afrikën e Jugut. Ai e kishte shënuar njërin nga shtatë golat e Portugalisë në fitoren 7:0 ndaj Koresë së Veriut në fazën e grupeve.
Dhe, në pjesëmarrjen e pestë në një kompeticion aq të rëndësishëm, Ronaldo shënoi prapë. Pas dy ndeshjeve zhgënjyese ndaj Danimarkës dhe Gjermanisë, ‘CR7’ shënoi dy herë ndaj Holandës të dielën mbrëma për ta dërguar Portugalinë në çerekfinale.
Pas dy golave të shënuar në ndeshjen e fundit, Ronaldo është futur në mesin e favoritëve për ta fituar ‘Këpucën e Artë’ të Evropianit. Natyrisht, futbollisti i Realit, i cili këtë sezon realizoi 60 gola nga 55 ndeshje, mund ta thyejë sërish rekordin e tij në Botërorin 2014, nëse merr pjesë me Portugalinë.