“Vetëm Gërxho i lirë, të tjerët s’mund të largohen”

Drejtuesit e klubit fierak e kanë konsideruar çështjen e pankinës si një problem shqetësues. Megjithatë, ata besojnë se deri më datë 21 qershor, kur dhe do të grumbullohet ekipi për të filluar përgatitjet për sezonin e ri, ky ngërç do të jetë i zgjidhur. “Jemi optimistë dhe besimplotë në këtë drejtim. Të gjithë futbollistët që mbyllën sezonin me Apoloninë, me përjashtim të Gërxhos, janë nën kontrata me klubin tonë dhe asnjë prej tyre nuk mund të largohet. Ne habitemi kur lexojmë lidhur me gjetjen e akordeve apo bisedimet me skuadra të tjera të lojtarëve tanë, pasi kjo do të përbënte shkelje të rregullores dhe lëvizjet nuk do të ishin aspak korrekte nga ana juridike. Pra, është më se e qartë që fillimisht çdo futbollist që kërkon të largohet duhet të gjejë akordin me drejtuesit e presidencës dhe vetëm më pas mund të jetë i lirë për të vazhduar karrierën ku e mendon më të arsyeshme. Ne nuk jemi kundër ofertave apo bisedimeve që këta lojtarë mund të bëjnë me skuadra të tjera, por kur vjen puna për të firmosur, sigurisht që më parë duhet të gjejnë konsensusin me ne, pasi në të kundërt asnjëri prej tyre nuk mund të lihet i lirë në mënyrë të rregullt. Ne do të ruajmë pothuajse gjithë grupin që mbylli kampionatin e kaluar dhe largimet mund të jenë me pikatore”. Kështu është shprehur për “Panorama Sport” shefi i klubit fierak, Liu Bistika. Për shumë prej titullarëve të Apolonisë kanë vërshuar ofertat nga klubet e tjera të Superiores. Gjithsesi, paralajmërimi i drejtuesve fierakë është i qartë, kështu që askush nuk mund të largohet pa marrë miratimin e presidencës.