Laçi rikonfirmon Daiun edhe një sezon

Përparim Daiu është rikonfirmuar edhe për një sezon në krye të pankinës së Laçit. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë numri një i klubit bardhezi, Pashk Laska. Në fakt, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi kavajasi ka bërë një punë mjaft të mirë gjatë fazës së dytë me të tijtë. Pa mohuar vlerat e vetë Laskës në fronin organizativ e financiar dhe aktorëve në fushë, futbollistëve, Daiu ka arritur të mbajë në tonus një grup të tërë. Dhe, falë profesionalizimit, por dhe këmbënguljes së vazhdueshme, i ka marrë më të mirën duke i siguruar mbijetesën dy javë para përfundimit të kampionatit. “Përparim Daiu do të jetë edhe për një edicion me Laçin. Së bashku ishim në Prishtinë për të ndjekur një takim final të Kupës së Kosovës. Përpara se të niseshim, u ulëm dhe diskutuam për skuadrën e re dhe gjithçka lidhet me kontratën për të drejtuar Laçin. Ai ka bërë një punë shumë të mirë dhe unë nuk kisha pse mos t’i afroja bashkëpunimin”, – shprehet numri një i klubit bardhezi, Pashk Laska. Grumbullimi – Bardhezinjtë ditën e sotme do të mblidhen në një seancë “dëgjimore”, ndërsa pritet të nisin zyrtarisht përgatitjet sezonale. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë Pashk Laska. Ky i fundit, në një takim që ka pasur me drejtues të sportit në bashki, të premten e kaluar, ka evidentuar faktin se terrenet sportive, stadiumi dhe kompleksi afër tij të mbahen në gjendje optimale, pasi sipas tij, puna për organizimin e skuadrës do të fillojë shumë më shpejt se herët e tjera. “Do të jemi gjithnjë në gjendje alarmi. Nuk ka më pushime të gjata, sidomos për skuadra të qyteteve të vogla. Të paktën kështu mendojmë ne. Po insistojmë shumë te shtimi i terreneve sportive. Dhe, në këtë drejtim, puna jonë konsiston bashkë me institucionin vendor, ndaj kam kërkuar që bashkëpunimi të jetë konstruktiv. Edhe për terrenet efiçiente është diskutuar. Laçi do të jetë tepër i angazhuar në kompeticionin e ardhshëm. Ndërkohë që një tjetër arsye më tepër që na shtyn të nisim shpejt, ka të bëjë me ndryshimet e mundshme të strukturës së kampionatit në sezonin 2013-2014″.