Edhe pse ende në Berat nuk ka ndonjë lëvizje për ndërtimin e skuadrës së re, futbollistë të ndryshëm vazhdojnë të shprehin dëshirën që të luajnë për Tomorin. Së fundi këtë dëshirë e ka shprehur edhe shkodrani Elhan Galica. Sulmuesi ka qenë pjesë e beratasve në sezonin kur Tomori u rikthye në Superiore. Vitin e fundit e nisi në Elbasan, pasi tekniku i atëhershëm i Tomorit, Përparim Daiu, nuk e vlerësoi si pjesë të projektit të vet. Klubi beratas u përpoq ta rikthente shkodranin në Berat gjatë merkatos së janarit, mirëpo këmbëngulja e verdhebluve nuk lejoi rikthimin e Galicës te Tomori. Vetë sulmuesi në një bisedë për “Panorama Sport” e pohon dëshirën për të veshur sërish fanellën e Tomorit. “Do të isha i lumtur nëse do të rikthehesha në Berat të luaja për Tomorin. Kam dhënë kontributin tim që kjo skuadër të rikthehej në Superligë dhe vetëm për mospëlqim të Daiut jam larguar nga Berati. Por në janar unë kam pasur ofertë nga beratasit për t’u rikthyer dhe pavarësisht dëshirës sime, në atë moment ishin drejtuesit e klubit të Elbasanit që nuk më lanë të lirë. Do më pëlqente që në momentin që krerët e Tomorit do të nisin diskutimet për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri të kontaktonin edhe me mua, sepse do të isha i gatshëm të nisja diskutimet. Nëse gjithçka për sa i përket kontratës do të ishte dakord mes nesh, atëherë mund të them me siguri që do të ishte shumë bukur të rikthehesha në Berat”, – deklaroi sulmuesi.
