Ana e errët e futbollit pasqyrohet më së miri në rrugët e qytetit Krakow të Polonisë. Bashkënikoqirët e Euro 2012, Polonia dhe Ukraina kanë problem serioz me racizëm institucional, gjë që vërehet nga çdo vizitor.
Një grafit me porosinë “Urrej futbollin, e dua racizmin” ju përcjell në momentin që dilni nga aeroporti ndërkombëtar, John Paul II dhe niseni për në Krakow. Ai gjendet në hyrje të qytetit, anash rrugës në një mur afër ndërtesave me apartamente. Autoritet janë munduar të bëjnë diçka rreth tij.
Ndoshta jo mjaft, por më tepër se që mund të prisni por hasin në ‘rezistencë’ të vazhdueshme nga ata që përkrahin një porosi të tillë. Çdo vit shpenzohen rreth 30 mijë funte për heqjen e porosive të tilla nga muret e qytetit në Krakow. Interkulturalni, një prej organizatave lokale që lufton racizmin në uebfaqen e saj ka një seksion me titullin “Muri i Turpit”, ku vizitorët mund të postojnë fotografi dhe raportojnë ofenduesit. Konsulli i qytetit ka formuar një linjë telefonike kurse e përditshmja Krakow Post vazhdimisht raporton rreth promovimit të multikulturalizmit.
Së fundmi në ballinën e saj u publikua një shkrim me titullin: “Eliminojeni racizmin”. Problemi, sipas Interkulturalni është “racizëm institucional”, i pranuar edhe nga opinioni. Edhe pse kanë kaluar vetëm disa ditë nga fillimi i Evropianit 2012, janë raportuar disa incidente me fyerje racore.
Skuadra e Holandës dëgjoi brohoritje të majmunëve në seancën e saj të parë të hapur në stadiumin e ekipit Wisla Krakow. Edhe më brengosës është fakti se fyerjet nuk janë bërë nga disa persona por një grup i madh prej qindra tifozëve. Edhe më i turpshëm është fakti se UEFA, së bashku me gazetarët holandezë, janë munduar të heshtin incidentin që nuk ishte aspak i vogël. Problemi i racizmit dhe i dhunës – një tjetër problem i shteteve nikoqire, Polonisë dhe Ukrainës – ishte përmendur si një prej arsyeve pse këto dy shtete nuk duhet fituar të drejtën e nikoqirit të Euro 2012 gjatë procesit të kandidimit më 2007.
Por, problemi ishte që edhe shtetet e tjera kandidatë si Italia dhe oferta e përbashkët nga Kroacia dhe Hungaria, nuk ofron garanci për një ambient që nuk ka probleme me racizëm. Por, problemi është edhe më i madh në Poloni dhe Ukrainë ku përkrahësit e kampanjave antiracizëm dëgjohen pak e hiq dhe shumë njerëz i mbyllin sytë ndaj këtij fenomeni negativ.
Një tjetër incident i rëndë përfshiu tifozët rusë, të cilët thuhet se kanë fyer në baza racore futbollistin me ngjyrë, mbrojtësin e Republikës Çeke, Theodor Gebre Selassie në duelin e tyre të parë në kuadër të Grupit A. Para kësaj, selektori i Ukrainës, Oleg Blokhin është mirë të shpjegojë deklaratat e tij të bëra për New York Times më 2006 kur tha se:
“Sa më tepër ukrainas që luajnë në ligën shtetërore, aq më tepër shembuj të mirë do të jepen për gjeneratat e reja. Leni ata të mësojnë nga Shevchenko dhe Blokhnin dhe jo ndonjë Zumba-Bumba i cili është marrë nga një lis. Jepjani atij dy banane dhe do të luajë në ligën e Ukrainës”. Futbolli ka qenë i mirë deri më tani, dhe ka pasur mjaft për çka të kënaqen shikuesit, por pa dyshim se ka ngjarje të cilat është vështirë për t’i admiruar.
