
Para dhjetë vitesh rrezikonte falimentimin, ndërsa tani Borusia ka thyer për herë të parë barrierën e 100 milionë eurove në arkat e klubit
Kampionët e Bundesligës, Borusia Dortmund, ka bërë të ditur fitimet prej 101,4 milionë euro për 6-mujorin e dytë (deri në dhjetor) të vitit të kaluar, duke thyer rekordin prej 100 milionë eurosh për herë të parë. Dortmundi njoftoi se të ardhurat nga 1 korriku deri më 31 dhjetor 2011 kanë qenë më shumë se 30 milionë euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010.
Të ardhurat pas taksave u rritën në 16,7 milionë euro, me 4,3 milionë më shumë se një vit më parë. Dortmundi, që fitoi vjet Bundesligën për herë të parë që prej sezonit 2002, tha se kontrolli i rreptë financiar, së bashku me suksesin sportiv, kanë ndihmuar në rritjen e të ardhurave. Klubi gjerman ishte përballur me rrezikun e falimentimit gjatë viteve përpara se të dilte kampion i Bundesligës së fundmi.
“Borusia është përmirësuar ndjeshëm nga ana ekonomike, teksa në aspektin sportiv ka pasur vazhdimësi gjatë viteve të fundit, – tha shefi ekzekutiv i Dortmundit, Hans-Joakim Uatcke. – Bazuar mbi shifrat aktuale, është e qartë se transferimi i Marko Rojsit nuk do të përbëjë ndonjë rrezik ekonomik”.
Dortmundi ka pranuar në janar të paguajë klauzolën e blerjes së Rojsit prej 17,5 milionë eurosh, për ta rrëmbyer anësorin 22-vjeçar nga Borusia e Mynshengladbahut në fund të sezonit. Dortmundi udhëheq aktualisht Bundesligën me 3 pikë më shumë se M’gladbahu, teksa gjigantët bavarezë të Bajernit të Mynihut gjenden 4 pikë larg tyre, në vendin e tretë.