De Biazi, presion “senatorëve”: Me mua s’ka të paprekshëm


Xhani De Biazi i ka idetë e qarta para debutimit në pankinën e Shqipërisë. “Askush nga lojtarët të mos mendojë se e ka vendin të sigurt në Kombëtare. Por, edhe ata të cilët nuk i kam grumbulluar së fundmi, të mos mendojnë se nuk do t’i ftoj në të ardhmen”. Trajneri italian i kuqezinjve, në konferencën e djeshme për shtyp, një ditë para nisjes për në Gjeorgji, tregoi synimet e tij për miqësoren e 29 shkurtit, si dhe foli për të ardhmen. Edhe këtë herë ai u tregua “diplomat” në disa prej përgjigjeve. Sipas italianit, për të është e rëndësishme që futbollistët të mendojnë për skuadrën dhe jo për aftësitë e tyre individuale.
Mister, çfarë prisni nga miqësorja e parë kundër Gjeorgjisë, e cila është debutuese për ju në pankinën e Shqipërisë?
Së pari, ju kërkoj ndjesë që nuk flas dot shqip. Më 29 shkurt do të jetë një ndeshje, ku veçanërisht do të duhet të marrim disa përgjigje në fushë. E kemi të nevojshme këtë. Do ta shikojmë skuadrën nga këndvështrimi taktik dhe teknik. Dua të shikoj gjithashtu edhe shkallën e pjekurisë për pjesën dërrmuese të lojtarëve. Dua të shoh grintën, cilësinë dhe maturinë e tyre, sepse më pas në teste të tilla do të bazohem edhe për përzgjedhjen që do të bëj në të ardhmen. Në këtë ndeshje do të bëjmë edhe ndonjë eksperiment, për të parë ndonjë lojtar që ende nuk kishte shkelur në Kombëtare. Kemi tri emra: Çani, Sadiku dhe Zeqiri. Do të thosha se këto janë tri risitë. Osmanin nuk mund të quhet hyrje e re, sepse ka qenë pjesë e ekipit në të kaluarën.
Ka diçka që i druheni para kësaj ndeshjeje…
Unë e kam të qartë, se në këtë periudhë nuk mund të presim maksimumin. Lojtarët kanë sfiduar kohën, kanë punuar shumë në stërvitje dhe jo në fushë, për shkak të reshjeve të dëborës. Çani është një ndër ata që e ka vuajtur dëborën dhe motin e ftohtë në Poloni, por jam në dijeni që është në formë të mirë.
Keni thënë më parë se vëzhguat 20 ndeshjet e fundit të Shqipërisë. Mund të na thoni tani pikat e dobëta dhe të forta?
Unë e kam analizuar skuadrën me aq sa kam mundur. Kam parë dhe e di mirë se cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të saj. Tani ne duhet të vlerësojmë mirë çdo gjë që do të bëjmë në të ardhmen. Me aq sa kam parë, skuadra shfaq një dëshirë të jashtëzakonshme për të marrë rezultatin, sidomos kur luan në “Qemal Stafa”. Mirëpo, kjo dëshirë ndonjëherë kthehet në disfavor, pasi skuadra humbet kontrollin e lojës, fokusohet më shumë në sulm dhe lë hapësira prapa. Në ndeshjet në transfertë duhet të jemi disi më të përgjegjshëm. Nuk duhet t’i japim shumë inisiativë kundërshtarit.
A ka rëndësi për ju rezultati në këtë miqësore debutuese?
Sigurisht që rezultati është shumë i rëndësishëm dhe kjo duhet t’u ngulitet mirë lojtarëve në kokë. Çdo futbollist që vjen në ekipin kombëtar duhet të kuptojë rëndësinë që ka, pasi është një komb i tërë që pret në ankth si do të përfundojë ndeshja. Ndaj Gjeorgjisë është një takim disi i veçantë, sepse është e para për mua. Unë pres përgjigje të mira nga grupi.
Nuk do të keni Salihin dhe Bogdanin. Për ju eksperimenti nis nga sulmi?
Mirë do të ishte t’i kisha të gjithë lojtarët në dispozicion. Gjithsesi, duhet t’i marrim parasysh edhe shkaqet jashtë futbollit, veçanërisht për Salihin, i cili ka pasur probleme me klubin e tij dhe thuajse s’ka luajtur fare muajt e fundit. Është e vërtetë që kemi grumbulluar dy lojtarë të rinj, por ne duam të marrim maksimumin nga ata, pasi po kalojnë një formë shumë të mirë për momentin. Çani dhe Sadiku e meritojnë të jenë në Kombëtare, por të mos harrojmë se në sulm kemi grumbulluar edhe Januzin, i cili ka qenë pjesë e skuadrës edhe në të kaluarën. Në repartin ofensiv mendoj se jemi OK.
Paraardhësi juaj, Kuzhe, u jepte më shumë hapësirë të rinjve në ndeshjet miqësore, ndërsa në ato zyrtare u besonte “veteranëve”. Ju çfarë do të bëni?
Një objektiv imi është edhe futja e elementit të ri në Kombëtare. Megjithatë, për mua nuk ka rëndësi mosha. Si 30 vjeç apo 20, pak rëndësi ka. Kryesore mbetet fakti që ata të jenë në një gjendje të mirë dhe të na ndihmojnë. E rëndësishme është që të kemi një numër sa më të madh lojtarësh, për të pasur në këtë mënyrë mundësi të mëdha zgjedhjesh. Do të mundohemi të grumbullojmë në Kombëtare ata lojtarë, të cilët e meritojnë të vijnë këtu. Për mua është tepër e rëndësishme që çdo lojtar të mendojë për krijimin e grupit, jo në mënyrë individuale për të treguar aftësitë e tyre. Duhet të mendojnë për një skuadër të vetme, jo për aftësitë që ata do të shfaqin personalisht. Dua t’u bëj thirrje futbollistëve që nuk janë grumbulluar, që të mos mendojnë se nuk do të jenë pjesë e skuadrës në vazhdimësi. Gjithashtu, dua t’u bëj të qartë lojtarëve që kam thirrur, që të mos mendojnë se do të jenë gjithmonë pjesë e ekipit.
Mbrojtja ka qenë gjithnjë një repart problematik për Shqipërinë. Çfarë keni menduar për këtë repart?
Është një vështirësi që nuk mund të mohohet. Kemi në dispozicion dy ditë kohë dhe do të mundohemi të ndërtojmë një mbrojtje të mirë. Do të punojmë fort në aspektin difensiv. Sigurisht, kemi mungesa të rëndësishme si Curri dhe Cana, por nuk duhet ta mbajmë mendjen tek ata dhe të ankohemi. Kam shumë besim se kushdo që do të luajë në mbrojtje do të japë maksimumin.
Në idetë tuaja, Cana do të luajë si qendërmbrojtës apo në mesfushë?
Cana nuk është i grumbulluar dhe mund të flas vetëm për ata që janë të gatshëm. Jam i sigurt se këtë pyetje do të ma bëni sërish në grumbullimin e radhës, kur Cana të jetë këtu (qesh).
Disa prej lojtarëve të grumbulluar nuk kanë luajtur kurrë bashkë. Keni ndonjë ide për formacionin ndaj Gjeorgjisë?
Kam një ide për formacionin, por duke qenë se është fundjavë dhe disa lojtarë janë të angazhuar në ndeshje dhe mund të ketë probleme dëmtimesh, tani nuk mund të them asgjë. Nuk është në praktikën time të punës t’i bëj gjërat zyrtare disa ditë përpara zhvillimit të ndeshjes.
Nëse nuk ka ndonjë sekret, si mund të luani në sulm, me një lojtar të deklaruar apo dy?
Ajo që unë mund t’ju them, është se kur ne do të kemi topin në zotërim, do të jemi 11 sulmues në fushë, ndërsa kur kundërshtari ka topin, atëherë do të bëhemi 11 mbrojtës.
Presidenti Duka ka thënë se do të dëshironte 8 pikë në katër ndeshjet e para. Ju si mendoni?
Mendoja që presidenti do të kërkonte më shumë pikë (qesh).

Italiani bën “nxehmje” në pub para debutimit
Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, ka hequr kostumin e “zyrtarit” pa debutuar ende në pankinën kuqezi, duke shtendosur në këtë mënyrë situatën para takimit miqësor me Gjeorgjinë. Italiani 55-vjeçar është parë të premten në mbrëmje në një nga lokalet e natës në kryeqytet, i cili është nga më të frekuentuarit në zonën e ish- Bllokut. I shoqëruar nga miqtë e tij të rinj shqiptarë, De Biazi ka qëndruar rreth 60 minuta në “Pub” dhe, më pas, është larguar pa e tepruar me alkoolin. Ndërkohë, nuk ka kaluar pa kureshtje te frekuentuesit e jetës së natës prania e tij. Italiani, shumë i thjeshtë dhe i komunikueshëm, përshëndeste me përzemërsi njerëzit, të cilët i flisnin dhe e uronin njëkohësisht për detyrën e tij. Ndërkohë, ai ka pëlqyer muzikën dhe nuk ka ngurruar të ndjekë ritmin. Gjatë kësaj periudhe De Biazi nuk ka qëndruar vetëm në kryeqytet, por ka lëvizur edhe në rrethe të tjera të Shqipërisë. Trajneri ka vëzhguar disa nga ndeshjet e kampionatit në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe duke përfituar nga rast nuk ka lënë pa vizituar vendet turistike. Bashkëpunëtorët e tij tregojnë se De Biazi është i befasuar për faktin se gjuha italiane përdoret nga shumica e shqiptarëve.

Dëmtohet Kristi Vangjeli, thirret Smajli i Vllaznisë
Mbrojtësi Kristi Vangjeli do të mungojë në miqësoren ndaj Gjeorgjisë. Stafi i ekipit kombëtar konfirmoi dje se korçari është dëmtuar dhe ka njoftuar se nuk mund të jetë i gatshëm për këtë ndeshje. Gjatë një miqësoreje të zhvilluar në Antalia të Turqisë me skuadrën e tij, Çernomorets Odesa, 26- vjeçari ka dëmtuar kaviljen dhe i duhet disa ditë kohë të riaftësohet. Në këto kushte, trajneri Xhani De Biazi ka grumbulluar një ditë para nisjes për në Gjeorgji mbrojtësin e Vllaznisë, Dritan Smajli. Futbollisti lezhjan është një nga më të spikaturit në kampionatin shqiptar, dhe italiani e ka vëzhguar gjatë “zborit” që u zhvillua në Durrës pak javë më parë me lojtarët e klubeve të Superiores. Kështu, shkon në 6 numri i lojtarëve të grumbulluar nga kampionati shqiptar. De Biazi ka ftuar Orges Shehin, Franc Veliun, Gjergji Muzakën, Tefik Osmanin, Dritan Smajlin dhe Gilman Likën. 13 lojtarët e tjerë aktivizohen në klube jashtë vendit, teksa tre janë debutues: Edgar Çani, Armando Sadiku e Hair Zeqiri.

Ja lojtarët që mungojnë
Në listën e lojtarëve për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë nuk janë përfshirë portieri Isli Hidi dhe sulmuesi Edmond Kapllani. Trajneri De Biazi ka preferuar për portën Ujkanin dhe Shehin, ndërsa në sulm Çanin, Sadikun e Januzin. Mësohet se Kapllani është i dëmtuar, për rrjedhojë dje nuk ka qenë i grumbulluar as në ndeshjen që skuadra e tij, Augsburg, zhvilloi me Hertën e Berlinit. Për arsye të ndryshme mungojnë edhe Bogdani e Salihi.

LISTA ANTI-GJEORGJI
PORTIERË
Samir Ujkani (Novara)
Orges Shehi (Skënderbeu)
MBROJTËS
Armend Dallku (Vorskla)
Andi Lila (PAS Janina)
Dritan Smajli (Vllaznia)
Tefik Osmani (Teuta)
Franc Veliu (Flamurtari)
MESFUSHORË
Ansi Agolli (Karabak)
Ervin Bulku (AZAL Baku)
Jahmir Hyka (Luzernë)
Gilman Lika (Tirana)
Odise Roshi (Këln)
Emiljano Vila (PAS Janina)
Hair Zeqiri (Rizespor)
Gjergji Muzaka (Skënderbeu)
SULMUES
Edgar Çani (Polonia V.)
Armando Sadiku (Lokarno)
Ahmed Januzi (Vorskla)
Elis Bakaj (Çernomorets)

Cana, takim kokë më kokë me De Biazin
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka zhvilluar dje një takim kokë më kokë me kapitenin e skuadrës, Lorik Canën. Ky i fundit, i ndodhur në Tiranë për arsye personale, ka përfituar nga rasti që të kishte një takim të gjatë dhe një bisedë me trajnerin. Në qendër të vëmendjes ka qenë ekipi kombëtar dhe projekti që ka De Biazi për të ardhmen. Ai i ka shprehur mbështetje maksimale mesfushorit që luan te Lacio duke i bërë të qartë se mbetet një pikë referimi në përfaqësuesen kuqezi, ndaj edhe duhet të marrë më shumë përgjegjësi. Trajneri e ka pyetur lojtarin edhe për gjendjen fizike, duke e këshilluar të jetë i matur dhe i duruar me programin riaftësues. Mësohet se Cana pritet që të rikthehet në fushën e lojës brenda muajit mars. Sa i përket pozicionit të lojtarit në fushën e lojës, De Biazi është pyetur me insistim, por nuk ka dashur të japë ndonjë detaj duke lënë të hapur se 27-vjeçari mund të luajë jo vetëm si mesfushor defensiv, por edhe si qendërmbrojtës. Shiriti – Ka shumë gjasa që kapiten në ndeshjen kundër Gjeorgjisë më 29 shkurt të jetë mesfushori Ervin Bulku ose mbrojtësi Armend Dallku. Në këtë takim do të mungojnë si Cana, ashtu edhe Bogdani, ndaj edhe pritet që shiritin ta mbajë ndonjë prej futbollistëve të tjerë që ka më shumë ndeshje.

Salihi “magjeps” amerikanët, gol që në debutim
Hamdi Salihi e ka nisur me gol aventurën te amerikanët e DC Junajtid. Bomberi shkodran shënoi golin e fitores në debutim, teksa ndihmoi skuadrën te fitonte 1-0 kundër Çikago Fajër, në takimin e vlefshëm për Kupë. Salihi luajti deri në minutën e 68- të, ndërsa golin e realizoi në minutën e 65-të. Roshi – Mesfushori shqiptar, Odise Roshi, u aktivizua 90 minuta për Këlnin në sfidën kundër Bajern Leverkusenit. Talenti fierak zhvilloi një ndeshje të pëlqyeshme, ndërkohë që skuadra e tij humbi 0-2 në shtëpi. Duhet thënë se 20-vjeçari luajti për herë të parë në Bundesligë si titullar dhe, për më tepër, 90 minuta. Ndërkaq, sulmuesi shqiptar që luan për Augsburgun në Bundesligë, Edmond Kapllani, nuk ishte i grumbulluar në fitoren 3-0 të skuadrës së tij ndaj Hertës.

Berisha, një “maniak” dopietash në Australi
Sulmuesi kosovar, Be sart Berisha, ka realizuar dy gola në fitoren që skuadra e tij Brisban Roar realizoi të shtunën në transfertë ndaj Pert Glorit me rezultatin 3-0. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për javën e 23-të të A-Leagues të Australisë. Berisha ka shënuar golin e dytë dhe të tretë të ndeshjes në minutat, përkatësisht 58′-ën, 62′-ën. Golin e parë e realizoi me një goditje të fuqishme nga afërsia pas një asisti të Henrikes, ndërsa golin e dytë pas një kundërsulmi të skuadrës. Kjo ishte dopieta e dytë radhazi që bëri sulmuesi, pas asaj që realizoi javën e kaluar. “Nuk është e lehtë që të luash në udhëtim kundër Pertit dhe të fitosh 3-0. Ne kemi treguar se jemi kthyer në formën më të mirë. Kemi luajtur fort dhe kemi zhvilluar një ndeshje fenomenale. Ndoshta ishte një prej ndeshjeve më të rëndësishme të vitit. Nuk është lehtë të fitosh në stadiumin e Pertit. Kemi treguar se jemi skuadër e mirë me futbollistë të mirë”, ka thënë Berisha për faqen zyrtare të Brisban. Berisha është bindshëm golashënuesi më i mirë në kampionatin e Australisë me 17 gola të shënuar. Ai ka edhe tri asiste. Në radhët e Brisban, sulmuesi kosovar u transferua në verë të vitit të kaluar nga skuadra gjermane Arminia Bielefeld. Brisban Roar është kampione në fuqi e Australisë. Me fitoren e shënuar të shtunën, Brisban ka 41 pikë nga 23 ndeshje dhe mban vendin e dytë, ndërsa është vetëm tri pikë larg Sentral Kost Marinërs që kryeson. Ish-sulmuesi i Shqipërisë, Berisha, javë më parë vazhdoi edhe për dy vite kontratën me Brisban. Në Australi ai u transferua për të shpëtuar karrierën pas kohërave të vështira që pati në Gjermani. Çani – Sulmuesi tjetër shqiptar, Edgar Çani, i cili aktivizohet në kampionatin polak, ka luajtur dje si titullar për skuadrën e tij, Polonia Varshava. Kjo e fundit humbi në shtëpi 1-2 Vidzev Lodz, ndërkohë që Çani u bë protagonist i rasteve të humbura. Në minutën e 90-të sulmuesi ka humbur një rast të artë për t’i dhënë barazimin ekipit të tij, por gjuajti në mënyrë të gabuar.

Besimi i Ahmed Januzit
Sulmuesi Ahmed Januzi beson se do të shpërthejë me fanellën e Kombëtares shqiptare. Në një prononcim për mediat kosovare, ndër të tjera ai u shpreh: “Ndeshja me Gjeorgjinë pres që të jetë një rast i mirë për mua që të tregoj se jam gati për një vend si titullar në Kombëtare. Besoj se jam pjekur dhe e kam arritur përvojën e mjaftueshme që të luaj më tepër. Nëse më jepet rasti, nuk dyshoj se do ta shfrytëzoj dhe realizoj ëndrrën time”.

HYKA
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka, nuk u aktivizua në fitoren 2-0 të Luzernës kundër Jang Bois. Trajneri Jakin e kishte lënë në stol këtë herë fantazistin shqiptar. Ndërkohë në Ligën e Dytë zvicerane sot për Lokarnon luajnë shqiptarët Klodian Semina dhe Armando Sadiku. Nga lojtarët që aktivizohen jashtë vendit vlen të përmendet Armando Vajushi, i cili dje luajti 45 minutat e dyta për Liteksin në miqësoren me Arsin, 1-1.