Busaka: Dua gjyqtarë të ndjeshëm, jo RAMBO!


Zvicerani është përzgjedhur nga Blater si shef i gjykimit dhe përzgjedhësi i arbitrave për në Botërorin 2014
“Do të doja një shef gjyqtarësh që të mos thotë “në kohën time…”, por një shef që është ende arbitër.” Në këtë mënyrë Sep Blater, “boss”-i i FIFA-s, ka vendosur që Masimo Busaka, 42 vjeç, një ndër gjyqtarët më të mirë në Champions League dhe Botërorë, të lërë fushën e lojës dhe të bëhet numri 1.
Tashmë pritet të fillojnë sfidat e 10-vjeçarit, ku përfshihet teknologjia dhe gjyqtarët që qëndrojnë pas porte.
Cili është projekti i ri?
Do të krijojmë një skuadër gjyqtarësh dhe unë do të jem trajneri. Do t’i qetësoj, do t’i trajnoj me stafin tim, në fund do të zgjedh “kombëtaren” për në Brazil 2014. Si çdo trajner, nuk mendoj se grumbullimi do t’i ndryshojë, duhet të vijnë të përgatitur nga klubet e tyre, pra nga federatat.
Si?
Të bëhen marrëveshje, të ofrohet ndihmë dhe instruktorë, të cilët do të punojnë me ta. Do të zhvillohen testime të përkohshme. Në këmbim, federatat do të detyrohen të përgatisin gjyqtarët, duke i instruktuar nga profesionistë. Gjyqtari duhet të “ushqehet me futboll” gjatë javës.
Kur do të fillojë puna?
Ka filluar… Kam diskutuar me europianët dhe afrikanët. Në mars do të zgjedh 50-shen për “ëorkshop”-in e Zyrihut që do të zhvillohet në shtator. Lista nuk do të mbyllet, në rast se në fillim të Botërorit do të na dalë një “Mesi”, si mund ta lë jashtë? Olimpiada, botërori i klubeve, Kupa e Konfederatave dhe një stazh 1-vjeçar. Do të bëhet edhe shkëmbim gjyqtarësh nga kontinenti në kontinent, deri sa në fund do të zgjidhen 20 ose 24 për Botërorin.
Çfarë iu kërkon gjyqtarëve?
Që të mos jenë robotë për të njohur rregulloren përmendësh. Lojtarëve të mëdhej, trajneri iu kërkon që të tregojnë klasin e tyre. Përse duhet ta ndryshojmë personalitetin e fortë të një gjyqtari të ri?
Sa vlerë ka fiziku?
Shumë, por jo gjithçka. Fillohet nga teknika, atë duhet ta kesh. Duhet t’i ndjesh vendimet, shpesh kam zgjedhur pa parë dhe gjithmonë kam bërë mirë. Në 90% të rasteve ndikon intuita. Fiziku mund të përmirësohet me stërvitje, janë disa testime specifike në të cilat unë besoj.
Taktika?
Njësoj si teknika. Duhet të dish se kë po arbitron. Kjo bëhet nëpërmjet pamjeve video. Nëse do të gjykosh Spanjën, do të jesh gati të shmangesh për topin që do të vijë më pas. E vështirë, e pashmangshme, sidomos pas 20 pasimeve të ngushta. Nëse do të gjykosh Anglinë, duhet të bëhesh gati për pasimet e gjata. Dhe a e dini çfarë ndodh shpesh? Që gjyqtarët mbërrijnë me vonesë, pasi befasohen nga loja. Kthehen në spektatorë dhe harrojnë që janë gjyqtarë.
Teknikë, taktikë, po më pas?
Përgatitje fizike, kurime mjekësore, anglisht dhe rregulla. Në fund do të bëhet edhe psikologji.
Gjyqtarët pas porte?
Le të presim fundin e eksperimentit. Gjithçka do të varet nga kualiteti i tyre, një vendim që ata mund të japin, ndryshon garën.
Teknologjia “gol jo-gol”?
Dçka do të bëhet.
Moviola?
Debatohet për 20 minuta dhe në fund nuk kuptohet nëse ishte faull apo jo. Ose po përdoret si instrument.
A ekziston rregulli numër 18, që quhet “sens pozitiv”?
Sigurisht. Ky rregull duhet të njihet dhe të interpretohet. Çdo ndeshje ka një histori. Pozicioni jashtë loje është dhe mbetet i tillë, një parregullsi tjetër shihet sipas ndeshjes.
Sa italian ndihesh?
Babai Salvatore dhe nëna Maria kanë shkuar në Belizona në vitet ’60. Babai punonte në një sipërmarrje ndërtimi, ndërsa nëna në shtëpi. Çdo ndryshim sjell dhimbje, por dhimbja të ndihmon. Nuk më kanë lënë asgjë mangët. Jam krenar për gjakun tim Italian, edhe pse jam latin brenda vetes. Ndërkohë që në total jam zviceran dhe saktësia e zviceranëve më ka ndihmuar të gjykoj.
Gjyqtar keni dashur të bëheshit që fëmijë?
Jo, prita të rritesha. Fillova të gjykoja rastësisht. Luaja në Serinë 3, isha sulmues dhe thonin që kisha këmbë të mira.
I respektonit gjyqtarët?
Nuk isha një model sa i përket korrektësisë. Por e them gjithmonë, një gjyqtar duhet të ketë luajtur futboll për të kuptuar më mirë sjelljet e futbollistëve, ekspresionin dhe ndërhyrjen që ata bëjnë.
Keni marrë ndonjëherë karton të kuq?
Një herë, pasi mora kartonin e dytë të verdhë.
Më pas vendosët të merrnit bilbilin?
E kuptova që bënte për mua. Lojtarët dhe tifozët i pranonin vendimet e mia, më dukej e thjeshtë.
Busaka, çfarë do t’i thonit një të riu?
Të besojë. Të përgatitet sa më shumë dhe të evitojë daljet nëpër bare me shoqërinë, nëpër diskoteka dhe përgjithësisht të dalurat në fundjavë. Duhet të stërvitet gjithmonë.
Ndeshja më e vështirë?
Luzerna-Servet në fund të viteve ’90. Isha i emocionuar, e ndieja veten se isha formuar dhe gabova. Në heshtjen e vendimeve askush nuk të ndihmon. Për gjyqtarët është e vështirë të marrin veten, më shumë se një lojtar. Pa familjen nuk bën dot, bashkëshortja ime Stefani më ka qëndruar gjithmonë pranë. Gabime kam bërë, por vlerësimet decizive më kanë shkuar mirë gjithmonë, për këto vlerësohet një gjyqtar.
Gjesti më i bukur në fushë?
Bazel-Zyrih, kur kam vërshëllyer për një faull afër vijës së zonës së portierit. Ishte një aksion deciziv dhe lojtari më tha: “U rrëzova vetë.” Ndeshja finale e Champions Leagues, Barça-Mançester Junajtid: në një moment, një lojtar mori goditje këndi dhe shokët e tij u mërzitën.
Po interesat gjatë ndeshjes…
Po, por ajo që shoh më shpesh është mungesa e “fair-play”-t. Duhet të bëhen përmirësime të menjëhershme. Ndoshta mund të bisedosh me një lojtar dhe të pyesësh nëse e shkaktoi faullin. Mirë është të mos përfshihesh me simulimet. Por është shumë mirë kur e dallon atë simulim. Të rinjtë që shohin futboll duhet të marrin një shembull pozitiv.
Po nëse gjyqtarët do të kishin mundësi të shpjegoheshin…
Nuk mund të flasin menjëherë pasi ka përfunduar ndeshja, ndoshta një ditë më pas. Megjithatë duhet bërë një marrëveshje që të mos shpjegojnë çdo rast që mund të ketë pasur një ndeshje, por ato më flagrantët, më të rëndësishmit dhe më të diskutuarit, ashtu si mund të ndodhë edhe me lojtarët.
A të ka ndihmuar feja dhe besimi te Zoti?
Shumë. Të bën të mendosh edhe në aspektin human. Në çdo vendim të ndihmon.

Identikit i zvicerianit
Nga korriku, përgjegjësi i Botërorit

Masimo Busaka, nga korriku i këtij viti, është emëruar shefi i gjyqtarëve të FIFA-s. Ka lindur në Belizona (Zvicër)më 06.02.1969. Gjyqtar që nga viti 1996 dhe gjyqtar ndërkombëtar në vitin 1999. Ka drejtuar finalen e UEFA-s 2007 dhe të Champions Leagues në vitin 2009.

Dy herë në Botëror
Busaka ka drejtuar në Botërorin e 2006-s dhe 2010-s. Gjithashtu në Kampionatin Europian të vitit 2008 dhe në Kupën e Konfederatave në vitin 2009.

Gjak sicilian

I biri i një çifti sicilian, babai i tij Grammikele është martuar me nënën e tij Stefani. Ai flet pesë gjuhë të huaja: italisht, anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe gjermanisht. Eshtë katolik dhe shumë sportiv.

Testet fizike për gjyqtarët e FIFA-s
Në pistë
Testi 1
Sprint 40 metra, përsëritet 6 herë.
Koha e lejueshme për çdo sprint, 6”20.
1 minutë pushim pas çdo sprinti

Testi 2
6-8 minuta pas testit të parë, 150 metra vrapim i shpejtë.
Koha e lejuar 30”, më pas 50 metra me hap, 35 sekonda.
Kjo përsëritet 24 herë, për një total prej 12 xhirosh në pistë, që do të thotë 4800 metra.

Në fushë
Testi 3
Yo-Yo
Dinamikë
Eshtë një adaptim i vrapimit zig-zag, me ndryshim drejtimi çdo 20 metra, para dhe mbrapa. Këto sprinte prej 20 metrash simulojnë ndryshimet e drejtimeve të ndeshjes. Në total ky ushtrim parashikon 320 metra vrapim.

Rekordi i kartonit të kuq më të shpejtë
I fundit ka qenë Rashid al Hoti, lojtar i Bahreinit, i cili doli me kartonin e kuq vetëm pas 39 sekondash lojë në ndeshjen ndaj Iranit, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit, Brazil 2014. A është kartoni i kuq më i shpejtë në historinë e futbollit?
Jo. Rekordi mbahet nga një ndeshje e kampionatit amator në Angli: Li Tod, lojtar i Kros Farm Park Sellëtik. Ai doli me kartonin e kuq pas dy sekondave lojë në ndeshjen kundër Taunton Ist Ric Uondërs në vitin 2000. Në librin e artë të kartonave të kuq më të shpejtë gjendet edhe emri i Lionel Mesit. Ylli i Barcelonës doli me kartonin e kuq pas 40 sekondave lojë, sepse goditi me bërryl kundërshtarin në miqësoren Argjentinë-Hungari në vitin 2005.
Ishte debutimi i tij me përfaqësuesen, ndoshta dhe sinjali i parë i mospërshtatjes me kombëtaren e vendit të tij. Edhe Xhezon Krou, lojtar i Arsenalit në vitin 1997, ka debutuar në Premier Ligën Angleze me një karton të kuq pas 53 sekondave, pa e prekur topin fare. Në atë kohë Venger komentoi: “As nuk e pashë ndërhyrjen e tij”.

Renditja e 10 kartonëve të kuq rekord

2” – Li Todt, për kundërvënie ndaj gjyqtarit.
(Tauton Ist RicUondërs-Kros Farm Park Sëlltik, 2000)
3”- Devid Prat, për lojë jo korrekte
(Kipenham Taun-Bashlei, 2009)
10” – Xhuzepe Lorenco, për faull loje
(Bolonja-Parma, 1990)
12” – Keit Xhilespi, për faull të fortë
(Shefild Junajtid-Reding, 2007)
12” – Ze Karlos, për goditje me bërryl
(Altetiko Mineiro-Kruizeiro, 2010)
13” – Kevin Presman (portier), për faull me dorë jashtë zone
(Shefild Uendsdei-Uolverhempton, 2000)
19” – Mark Smith (portier), për faull të ashpër
(Krju-Darlington, 1994)
33” – Xhezon Krou, për ndërhyrje të ashpër
(Arsenal-Birmingam, 1997)
39” – Rashid Al Hoti, për faull të ashpër
(Bahrein-Iran, 2011)
40” – Lionel Mesi, për goditje me bërryl
(Argjentinë-Hungari, 2005)