Mesfushori i Romës, Daniele De Rossi, i hedh poshtë lajmet se ai ka pasur një konflikt me trajnerin Luis Enrique. Lojtari u përjashtua nga tekniku spanjoll pas një sherri me mbrojtësin Kjaer dhe u dërgua në tribunë. Pas humbjes së Romës në Bergamo ndaj Atalantës u fol se një nga arsyet e dështimit ishte pikërisht kjo humbje, por De Rossi e ka sqaruar këtë ngjarje. “Në Bergamo unë isha vetëm jo i vëmendshëm. Por, dua që të sqaroj se unë nuk kam bërë sherr dhe as nuk kam rrahur asnjë njeri. Vazhdoj që të kem besim te Luis Enrike, ai është një njeri i drejtë dhe që punon”.
Pyetjes së gazetarëve nëse duhet t’i kërkonte ndokujt të falur, lojtari u përgjigj: “Nuk mendoj se duhet t’i kërkoj të falur. Unë gjithmonë kam folur me të në një mënyrë pozitive dhe do të vazhdoj që ta bëj”. De Rosi tregon se ai e ka vuajtur faktin që nuk ishte në fushë ndaj Atalantës. “Le të themi që ajo në Bergamo nuk ishte një ditë pozitive për mua. Me erdhi keq që nuk luajta, por dua të saktësoj që nuk jam konfliktuar me njeri. S’ka pasur as mungesë respekti dhe as ofendime. Unë gjithmonë kam qenë një njeri korrekt dhe profesional. Por, atë ditë isha thjesht i pavëmendshëm”.
Lojtari verdhekuq refuzoi të fliste më në hollësi. “Nëse trajneri ka thënë që nuk ka nevojë që të flasim në detaje për këtë ngjarje, unë nuk do e bëj. Nuk kam ofenduar njeri, si dhe nuk kam bërë grushte me Kjaerin, aq më tepër të jem larguar nga grumbullimi”, përfundoi De Rossi. Roma u shkatërrua nga Atalanta në transfertë me rezultatin 4-1.