Për momentin, në klubin shkodran akoma nuk po kuptohet nëse janë duke menduar për sezonin tjetër apo për sezonin aktual
Në klubin “Vllaznia” ka një dilemë të madhe. Ajo për të menduar për të sotmen apo për të ardhmen. Drejtues të klubit në fakt ka ditë që kanë filluar të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Planet janë për të ndërtuar një ekip të madh dhe pretendent për titullin kampion. Nga ana tjetër, ka jo pak dilema për sezonin aktual.
Nëse ka ecuri të mirë skuadra gjatë kësaj periudhe, çdo gjë është e mundshme dhe Vllaznia mund ta shohë veten në Kupat e Europës në fund të këtij sezoni. Por nëse gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet, skuadra mund të rrezikonte shumë rënien nga kategoria. Këtë nuk e themi vetëm ne. E thonë edhe specialistë të ndryshëm në Shkodër që e njohin realisht gjendjen e Vllaznisë.
Megjithatë, askush nuk ka dëshirë ta besojë se ky ekip do jetë nga ata që mund të rrezikojë rënien. Madje nëse do të ndodhte kështu, do ishte një budallallëk i madh për të gjithë ata që kanë pasur diçka në dorë. Pagesat bëhen në mënyrë shumë korrekte që nga shtatori e në vazhdim, mbështetje ka. Po ashtu, edhe trajneri aktual Rudi Vata mundohet të bëjë më të mirën në stërvitje çdo ditë dhe arsyet pse skuadra nuk ngjitet në lojën e saj dhe në renditje janë pak enigmatike. Ndoshta pikërisht edhe prej dilemës së mësipërme.
Dikush ka filluar t’i bëjë llogaritë për sezonin e ardhshëm, por harron atë të tanishmin. Flitet e thuhet se do vijnë 10-12 lojtarë të tjerë dhe sigurisht që këta të cilët luajnë për Vllazninë tani lihen mënjanë. Në njëfarë mënyre, shumë prej tyre nuk llogariten të jenë pjesë e skuadrës në sezonin e ri. Duke qenë kështu, ata nuk e ndiejnë veten të ngrohtë dhe kjo reflektohet në fushën e lojës.
Harmonia Skuadra shkodrane aktualisht vuan nga harmonia. Futbollistët e saj nuk janë të lidhur aq shumë me njëri-tjetrin dhe këtë nuk është e vështirë ta konstatosh. Trajneri Vata ka futur rregullin, disiplinën dhe seriozitetin në stërvitje, por ato mbase nuk mjaftojnë. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit ndoshta duhet t’i bëjnë llogaritë më ndryshe. Duke filluar të mendojnë, së pari, për këtë sezonin e tanishëm.
Ndeshja me Kamzën konsiderohet prioritet i rëndësishëm për kuqeblutë. Shpresat për një fitore janë të mëdha, sidomos pas paraqitjes së mirë që ajo bëri në ndeshjen e fundit me Skënderbeun. Kjo ndeshje, por edhe ato të tjerat që vijnë më pas, duhet të shërbejnë si një apel për të gjithë ata që punojnë te klubi shkodran: drejtues, trajnerë dhe futbollistë.
Të gjithë së bashku duhet të kenë të njëjtin motiv në punë, të njëjtin objektiv për të arritur. Askujt nuk i vlen të mendojë ndryshe nga tjetri. Nëse ndonjëri mendon për nesër, kjo është paksa e gabuar. Drejtuesit e bashkisë kanë jo pak përgjegjësië në këtë situatë. Për ta nuk është e rëndësishme vetëm gjetja e parave për të financuar skuadrën. Për ta, e rëndësishme duhet të jetë edhe menaxhimi i saj, duhet të jetë dalja zot në të gjitha aspektet.
Në opinionin sportiv, çdo ditë e më tepër hidhet ideja që Vllaznia është një “skuadër jetime”. Mungesa e një presidenti, nga ato që jemi mësuar të shohim prej vitesh në krye të klubeve tona, ka efektin e vet negativ te trajneri, te futbollistët dhe te të gjithë. Jo më kot ekziston edhe ajo barcaleta se gjyqtari para fillimit të ndeshjes, shikon nga tribuna VIP për të parë se kush është aty.
Dhe kur sheh që nga Vllaznia nuk ka “njerëz të fortë”, ai nuk e ka të vështirë ta ndëshkojë, ashtu siç ka ndodhur në shumë raste. Për të gjitha këto, drejtuesit e klubit shkodran sot duhet të mendojnë, së pari, për Vllazninë aktuale dhe jo atë të së ardhmes.
Klubi shkodran apo klubi “memec”?
Mund të duket e çuditshme, por është më se e vërtetë. Klubi më i vjetër në futbollin shqiptar “nuk di të flasë”. Prej gati dy javësh është dhënë urdhri që të ketë heshtje shtypi. Gjoja në pragndeshjen me Skënderbeu për të ndikuar për mirë te futbollistët dhe stafi, në mënyrë që ata të stërviteshin të qetë në prag të asaj ndeshje që u konsiderua shumë e rëndësishme.
Heshtja u zbatua, megjithatë Vllaznia sërish nuk fitoi. U prit që pas ndeshjes të së shtunës të kishte një metodë tjetër të komunikimit me mediat nga ana e klubit shkodran, por deri dje asnjë vendim ndryshe. “Blac-out” informativ që është vendosur nga klubi “Vllaznia” duket se do të vazhdojë dhe në njëfarë mënyre, vetë ai tregon se gjërat në këtë klub nuk janë ashtu siç duhet.
Për më tepër, që urdhri për të mos folur, apo folur vetëm me leje, ka shkuar edhe për gjithë trajnerët e Akademisë. Se si do të shkojnë gjërat në ditët e ardhshme, kjo mbetet për t’u parë, por drejtuesit kuqeblu duhet ta kenë të qartë se kjo nuk është zgjidhja e duhur që kanë gjetur.
Kuqeblutë, sot me dy seanca stërvitore
Pas dy ditëve pushim, dje kuqeblutë kanë rifilluar stërvitjen, teksa në orën 13:00 në fushën sportive të Shtojit, kanë zhvilluar seancën e parë të kësaj jave. Ka rënë në sy mungesa e pesë futbollistëve të grumbulluar me ekipet kombëtare dhe pikërisht Smajlit, që është me kombëtaren e madhe në Gjeorgji dhe të Hasanit, Shabës, Tafës e Gurit, që janë grumbulluar me Shpresat.
Dita e sotme, ndërkohë do jetë më e ngjeshur për futbollistët e Vllaznisë. Trajneri Rudi Vata ka menduar që të zhvillojë dy seanca. Paradreke skuadra do jetë në fushën “Reshit Rusi” dhe pasdreke në fushën e Shtojit. Ndeshja e radhës me Kamzën konsiderohet njëlloj e rëndësishme si ajo e kaluara me Skënderbeun dhe prandaj stafi është duke bërë të gjitha përpjekjet për ta ndërtuar sa më mirë mënyrën e lojës, taktikë dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me pragndeshjen.
