Korçarët: Dinamo, tani është Skënderbeu “mace e zezë”


Korçarët: Dinamo, tani është Skënderbeu “mace e zezë”
Deri përpara tri sezonesh, blutë ishin vërtetë një “mace e zezë” për kampionët, ndërkohë që tani është ndërruar kahu, dominojnë korçarë

Çifti Skënderbeu-Dinamo, për vite e vite me radhë, sa herë që të dy ekipet do të ndesheshin mes tyre, mund të thuhej pa frikë se Dinamo ka qenë skuadra favorite për ta fituar këtë duel. Madje duke shkuar më shumë se kaq, deri përpara tri sezonesh, ndeshjet që Skënderbeu kishte fituar ndaj bluve numëroheshim me gishtat e njërës dore, aq sa pa frikë korçarët e quanin Dinamon “macja e zezë”.
Asaj kohe, si të luhej në Korcë, por edhe në kryeqytet kjo sfidë, i vetmi sukses që mund të arrinin korçarët mund të ishte ndonjë barazim, por në shumicën e ndeshjeve janë mundur nga blutë. Dhe ky ritual i ka ndjekur për dekada me radhë kuqebardhët, ndërkohë që historia tashmë ka ndërruar kah, pasi tashmë është Skënderbeu ai që është kthyer në një “mace të zezë” për blutë kryeqytetas.
Në këto tri sezone të fundit, Dinamoja nuk ka mundur të fitojë asnjë ndeshje ndaj juglinorëve, me përjashtim të atij brazimi në fazën e parë të këtij sezoni 0-0, që mund të quhet suksesi i këtyre viteve të fundit për blutë. Ky çift, të paktën në sezonin e kaluar, ka qenë ndër më të përfolurit, por duket se këtë sezon nuk ka për të dalë asnjë gjysëm fjale për Skënderbeun dhe Dinamon, pasi blutë kanë qysh në fillim që e kanë kthyer “timonin” drejt kategorisë së parë dhe nuk janë në nivelin e kampionëve të vendit.
Skënderbeu ka rastin më të mirë që të shtojë fitoret ndaj bluve dhe për t’iu afruar rezultateve negative ndaj bluve dhe një tjetër fitore është duke u gatuar edhe këtë fundjavë ndaj Dinamos. Blutë me shumë halle do të kenë të dielën përballë një skuadër të etur për “hakmarrjen” e fazës së parë dhe në letër kjo sfidë duket e fituar nga Skënderbeu, edhe pse do të luhet në një fushë asnjanesë si ajo e Peqinit.
Me të drejtë, korçarët tani nuk tremben dhe u thonë bluve: “Kujdes, se kini përballë “macen e zezë”! Ky është futbolli, dhe Skënderbeu mund të jetë me plot gojë këtë javë ai ekip që do t’i japë “shkelmin” e fundit Dinamos për ta rrëzuar një kategori më poshtë, pasi nëse blutë munden edhe këtë javë, atëherë duhet të përgatiten që sezonin tjetër të luajnë një kategori më poshtë.
Optimizmi Nëse i pyet futbollistët e Skënderbeut në lidhje me ndeshjen e kësaj fundjave, ata pa diskutim që e cilësojnë këtë ndeshje si mundësinë e vetme për të shtuar edhe një tripikësh dhe për t’iu afruar edhe më shumë kreut. Në një prononcim të djeshëm për gazetën, një prej futbollistve të Skënderbeut, që në fakt nuk dëshiron t’i bëhet publik emri, pasi heshtja për shtyp vijon, do të deklaronte:
“Nuk kemi më kohë që të gabojmë dhe një gabim të mos harrojmë se e kemi bërë po me Dinamon në kryeqytet në fazën e parë. Në javën e dytë blutë na morën një pikë në fushën e tyre, ndërkohë që këtë të diel u themi që t’i harrojnë pikët ndaj nesh, pasi na duhen më shumë se kurrë. Më vjen keq për blutë, pasi nuk e meritojnë të jenë në vendin e fundit, duke shtuar emrin e madh që kanë, por ne kemi synime të ndryshme me ta.
Ata luftojnë për mbijetesë dhe ua urojmë që ta arrijnë një gjë të tillë, ndërkohë që ne na duhet titulli dhe mundësia e vetme janë tri pikët në fushën e Peqinit. Nuk jemi aspak euforikë në prag të kësaj sfide, por çdo fitore për ne tashmë është një detyrim. Kemi kohë të përgatitemi deri të dielën, por u themi qysh tani bluve që rruga më e mirë është të mendojnë për të marrë pikë me ndonjë skuadër tjetër dhe jo me ne,” – përfundon një nga titullarët e Skënderbeut.