Finalja e botërorit “Francë ‘98”, kur Ronaldo luajti me jetën!

Kardiologu me famë botërore, Bruno Karù, është i bindur se braziliani ka luajtur ndaj Francës pas problemeve në zemër, pak orë para ndeshjes, dhe nën efektin e ilaçeve të një diagnoze krejtësisht të gabuar

“Fenomeni” i futbollit botëror, Ronaldo, më 12 korrik 1998, ditën e finales së Kupës së Botës, Francë-Brazil 3-0, ka qenë në rrezik për të humbur jetën në fushën e lojës, menjëherë pas “sëmundjes” që e kishte goditur në dhomën e hotelit pak orë më parë. Mjekët që e vizituan në klinikën “Clinique des Ilies” gabuan totalizht diagnozën, duke i dhënë Ronaldos ilaçe që nuk kishin të bënin aspak me shqetësimin që kishte pasur.
Në kushte të mjerushme braziliani zbriti në fushën e “Parc des Princes”. Ai që zbulon atë që i ka ndodhur në të vërtetë Ronaldos, në orët para finales, është profesori italian, Bruno Karù, kardiolog me famë botërore, dhe kreu i Shoqatës së Kardiologëve Italianë. Doktori në fjalë ka pasur në dispozicion të gjithë analizat e bëra mbi brazilianin dhe dokumentacionin mjekësor të mbledhur nga doktor Volpi, që u nis nga Interi menjëherë për në Paris, pasi klubi zikaltër, ku luante “Fenomeni”, u njoftua për shqetësimin që kishte pasur.
Nga shtjellimi i mëtejshëm i analizave, tani, 14 vjet më vonë, del në skenë e vërteta: Ronaldo ishte shtrirë në dyshemenë e dhomës së hotelit si pasojë e një ataku kardiak dhe jo për shkak të stresit për ndeshjen që e priste, siç u tha menjëherë pas sfidës. “Ronaldo u shtri në krevat për të ndjekur garën e Formulës 1, – tregon Karù, – dhe pa e vënë re, mënyra si lëvizi kokën i shkaktoi zemrës një ulje të ndjeshme të rrahjeve.” Pasi doktori shpjegon në mënyrë mjeksore se diçka e tillë mund të ndodhë, shton:
“Lojtari iu nënshtrua një serie analizash komplete në repartin e neurologjisë, por ne mjekët e dimë mirë se edhe neurologu më i mirë nuk humbet kohë me studimin e eletrokardiogramës, që për të thënë të vërtetën ka raste kur nuk lexohet aspak. Unë dhe doktor Volpi e studiuam dokumentacionin mjeksor deri në detajin më të vogël. Elektrokardiograma tregon sesi Ronaldo, në momentin që i kaloi kriza, kishte një frekuencë kardiake, 18 rrahje në minute, dhe kjo tregon që në çastet kur ra pa ndienja, zemra e tij ka pushuar.
Mjekët iu refruan fjalëve të Roberto Karlosit për një krizë të mundshme nervore si pasojë e stresit dhe nuk vepruan si duhet. Të shtyrë edhe nga presioni që futbollisti më i mirë në botë duhet të luante në finalen e Botërorit, 3-4 orë më vonë, ata i dhanë Ronaldos një ilaç shumë të fortë, “Gardenal”, i shkëlqyeshëm për nervat, por jo për zemrën. Një ilaç që u përdor nga Marlin Monro për t’u vetvrarë dhe vlen kryesisht për të ulur në minimum rrahjet e zemrës.
Ishte krejtësisht e kundërta që i duhej Ronit. Në këtë mënyrë shpjegohet edhe forma shumë e dobët e Ronaldos në finale dhe fakti që kur ai zbriti nga avioni, 24 orë më vonë, si të ishte i dehur, duke anuar sa majtas-djathtas në krahët e shokët, pa qenë në gjendje të mbante ekuilibrin”.

15 gola ka shënuar Ronaldo në kampionatin botëror, më shumë se kushdo tjetër në historinë e futbollit