Duka: Kombëtare me fytyra të reja, por shumë seriozë!


Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, takimin e nesërm miqësor me Gjeorgjinë në Tbilis, e shikon si një mundësi të mirë për fituar lojtarë të rinj për kombëtaren

Si përherë, presidenti i FSHF-së Armand Duka, nuk i është ndarë kombëtares edhe në këto ditë të ftohta në Gjeorgji. Mirëpo fakti, që kjo miqësore është një premierë për trajnerin e ri Italian të kuqezinjve, Xhani De Biazi, natyrshëm ishte një arsye më tepër për të për të mos munguar në një ndeshje të tillë.
Kësisoj, ai, së bashku me një nga zëvendësit e tij, Lutfi Nurin, ka udhëtuar drejt Tbilisit, për t’iu gjendur pranë kuqezinjve tanë për sfidën e nesërme miqësore ndaj gjeorgjianëve. Mbrëmë vonë, arritëm të kontaktojmë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, dhe nëpërmjet linjës telefonike zhvilluam një bisedë me të.
- Zoti Duka, si ju duket kombëtarja e re, po e quajmë kështu krahasuar me atë të mëparshme, të edicionit të sapopërfunduar?    
- Në dukje është një ekip kombëtar me shumë fytyra të reja, por i përbërë nga djem mjaft seriozë në sjellje. Nga stërvitja e parë që ndoqa, vura re mjaft mobilizim nga ana e tyre për të demonstruar më të mirën e tyre. Sidoqoftë është mjaft shpejt për të dale në konkluzione.
- Ju personalisht, si president i FSHF-së, çfarë prisni nga ndeshja e nesërme miqësore, e cila është edhe një premierë për trajnerin e ri italian të kuqezinjve De Biazi?
- Pritshmëritë nga një miqësore janë të ndryshme nga ato të ndeshjeve zyrtare. Unë, nga ndeshja e nesërme do të kërkoja që kombëtarja jonë të luajë mirë dhe futbollistët e rinj që do të aktivizohen t’i bëjmë sa më shpejt pjesë të pandashme të saj. Rezultati nuk është i rëndësishëm, por nëse ndodh, mire se të vijë.
- Një këshillë për trajnerin De Biazi?
- Nuk besoj se De Biazi ka nevojë për këshillat e mia teknike, ai është një profesionist i afirmuar.
- Nuk e kishim fjalë për kësisoj këshillat, por për një këshillë, apo sugjerim, si president i FSHF-së, për punën e tij në vazhdim në prag të kësaj premiere.
- Fillimisht do t’i uroja natyrisht suksese. Këshilla ime do të ishte e shkurtër dhe e sinqertë: Përherë seriozitet, përherë përkushtim, për ta çuar kombëtaren e Shqipërisë, aty ku nuk e kanë çuar parardhësit e tij.