Mançini: Kampionati, Champions-i i M.Sitit


Trajneri i Mançester Sitit u ka kërkuar lojtarëve të tij që t’i konsiderojnë 13 ndeshjet e mbetura të Premier Ligës, të gjitha si finale të Chmapions- it nëse duan që të shpallen kampionë. Pas një jave pushim, kampionati anglez nis sot javën e 26-të, dhe apeli i Roberto Mançinit ka ardhur në prag të sfidës me Blekbërnin në “Etihad Stadium”. “Qytetarët” do tentojnë të ruajnë avantazhin prej 2 pikësh nga rivalët e Junajtid. Milionerët i pret një test i vështirë dhe tekniku italian kërkon ta mbajë të karikuar skuadrën, kur javët kanë nisur numërimin mbrapsht. “Është e pafalshme të shfaqim shenja vetëkënaqësie, – tha menaxheri. – Çdo ndeshje është si një finale e Ligës së Kampioneve dhe, për këtë arsye, ne duhet të tregojmë përqendrim maksimal. Nesër (sot) kemi një ndeshje kundër Blekbërnit, një skuadre që lufton për të mos rënë nga Premier Liga, prandaj do të jetë shumë herë më e vështirë. 2- 3 javët e fundit ata kanë luajtur shumë mirë”.
Rikthehet Ture – 47- vjeçari i ka të gjitha shanset për të buzëqeshur, sepse për sfidën e sotme i rikthehet Baloteli pas përfundimit të pezullimit, por edhe telashet me Karlos Tevezin kanë marrë një herë e mirë fund. Rikthehet edhe Jaja Tureja nga Kupa e Afrikës. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë nuk ka luajtur në kampionat që prej fitores me Liverpulin më 3 janar, por ka qenë në fushë në 2 ndeshjet e Ligës së Evropës me Porton. Gjatë mungesës së tij, milionerët u eliminuan nga dy kompeticionet e kupave, “Carling” dhe “FA Cup”. “Jaja është një lojtar klasi. Ai ka luajtur për Barcelonën dhe është mësuar të fitojë çdo ndeshje. Mentaliteti i tij fitues mund të ndihmojë gjithë ekipin”, – theksoi Mançini. Ai përsëriti edhe një herë tjetër se e ka falur Tevezin pas ndjesës së sulmuesit dhe shpreson ta ketë sa më parë në dispozicion. Koha që 28-vjeçari të rifitojë formën dhe zbritur në fushë është 3 javë. Por, për ecurinë e përgatitjeve me argjentinasin, foli zv/trajneri Dejvid Plat: “I duhen ende edhe pak punë përpara se të jetë gati. Ka pasur shumë zhurmë për këtë histori dhe e rëndësishme është që ne ta menaxhojmë sa më mirë”. Domosdoshmëria e ish-kapitenit në fushë tregohet më mirë përmes shifrave. Në 91 ndeshje me fanellën e Sitit, ishkapiteni ka shënuar 52 gola.