Trajneri De Biazi, aventura nis me tri debutime kuqezinjsh


Edgar Çani, Armando Sadiku dhe Hair Zeqiri. Këta janë tre emrat e rinj të grumbulluar për herë të parë në Kombëtaren shqiptare në një ndeshje zyrtare. Në një farë mënyre, këta të tre mund të konsiderohen edhe si një bast për trajnerin italian të Shqipërisë, duke qenë se nuk kanë provuar asnjëherë të veshin fanellën e përfaqësueses A. De Biazi ka preferuar edhe për arsye nga më të ndryshmet që të mos grumbullojë “senatorët”, ose më mirë lojtarët me peshë të skuadrës sonë, duke filluar që nga Bogdani, Salihi, Teli e deri te kapiteni Lorik Cana. Duhet thënë se “Bogu” ka kërkuar vetë që të mos jetë i pranishëm në këtë miqësore, ndërsa Salihi dhe Teli janë lënë jashtë për arsye taktike (De Biazi ka preferuar që në vend të tyre të mund të provojë lojtarë të rinj). Mungon ndërkaq edhe Lorik Cana e Debatik Curri, që të dy të dëmtuar: i pari mund të kthehet në fillim të marsit në stërvitje, kurse i dyti në fund të këtij sezoni.
Risitë – Në fakt, të rejat në listën e De Biazit nisin që me portën, teksa portier të dytë italiani ka preferuar Orges Shehin e Skënderbeut, i konsideruar si gardiani më i mirë i Superligës. Shehi ka qenë i grumbulluar edhe më parë në Kombëtare nga ish-trajneri Josip Kuzhe, por nuk ka luajtur asnjëherë, madje as në miqësoret e fundvitit të shkuar. Kështu që, me gjasa, portieri i korçarëve mund të bëjë debutimin e tij ndaj gjeorgjianëve. Për të kaluar te mbrojtja, ku pa Telin, Canën e Currin, afërmendsh që titullarë mund të jenë Osmani dhe Veliu, të rigrumbulluar në ekipin përfaqësues. Korçari ka qenë pjesë e kësaj skuadre para disa vitesh kur luante te Metalurg Zaporishtje në Ukrainë, ndërsa vlonjati ka luajtur në miqësoren ndaj Argjentinës si dhe në përballjen kualifikuese ndaj Luksemburgut. Sa i përket mesfushës, sytë drejtohen nga Hair Zeqiri i Riezesporit, pasi emrat e tjerë, përveç Roshit, janë provuar prej disa vitesh në Kombëtare. Vlonjati ka treguar një formë shumë të mirë në kampionatin turk, ndaj edhe grumbullimi në përfaqësuese ishte thuajse i sigurt. Ndërkohë është lënë disi në harresë një tjetër mesfushor, me tipare organizative: Sabjen Lilaj. Ish-lojtari i Tiranës nuk po kalon një periudhë të lumtur te Lokomotiva e Zagrebit, ndaj edhe për këtë miqësore është lënë jashtë.
Sulmi – Reparti ofensiv është edhe ai që është prekur më shumë në këtë grumbullim. Janë lënë pushim Salihi dhe Bogdani (ndërkohë Kapllani është i dëmtuar) dhe në vend të tyre do të luajnë për herë të parë Sadiku me Çanin. Që të dy këta kanë shpërthyer me lojën e tyre në Zvicër dhe Poloni, ndaj edhe shihen si “rreziku” kryesor i “senatorëve” për vendin e titullarit në të ardhmen në Kombëtare. Me gjasa, De Biazi mund të luajë nga minuta e parë me Edgar Çanin, duke qenë se futbollisti luan në një kampionat prestigjioz si ai polak, te Polonia e Varshavës, dhe ka shënuar rregullisht në takimet e fundit.

Në mënyrë telegrafike dhe të plotë, ja edhe lista e lojtarëve të ftuar nga trajneri De Biazi për miqësoren me Gjeorgjinë, që kuqezinjtë tanë do ta luajnë në Tbilisi, më 29 shkurt, në orën 15:00
1.Samir Ujkani Novara Calcio
2.Orges Shehi Skenderbeu
3.Tefik Osmani KF Teuta
4.Armend Dallku Vorskla Poltava
5.Franc Veliu FK Flamurtari
6.Andi Lila PAS Jannina
7.Kristi Vangjeli Chernomorets Odesa
8.Ervin Bulku AZAL Baku
9.Gilman Lika KF Tirana
10.Odise Roshi FC Koln
11.Jahmir Hyka Luzern
12.Emiljano Vila PAS Jannina
13.Gjergj Muzaka FK Skenderbeu
14.Ansi Agolli Qaraback
15.Hair Zeqiri Rizespor
16.Ahmed Januzi Vorskla Poltava
17.Elis Bakaj Dinamo Bukuresht
18.Armando Sadiku Locarno
19.Edgar Çani Polonia Varshava