Skandali, Barcelona i kërkon ndere Federatës

Barcelona ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Spanjë, ndërsa presidenti i saj Sandro Rosell, ka zhvilluar një takim me numrin një të Federatës Spanjolle të Futbollit, Angel Maria Villar. Drejtuesi i institucionit numër një të futbollit në vendin iberik është dëgjuar duke i thënë drejtuesit katalanas se, ai nuk mund të bënte më asgjë për të. 


“Çfarë kërkon që të të jap më Sandro? Nuk mundem të të jap më asgjë më shumë”, është dëgjuar të thotë Villar. Një deklaratë e tillë ka tërhequr vëmendjen e gazetarëve, pasi të lë të kuptosh se Barcelona është parë me tjetër sy nga ana e institucionit numër një të futbollit. Për më tepër që, madrilenët akuzojnë se në disa raste vendimet kanë qenë në favor të Barcelonës dhe në dëm të tyre. 

Sipas mediave sportive spanjolle, të dy presidentët kanë pasur një takim sekret ditën e mërkurë për rreth dy orë në një prej hoteleve të kryeqytetit spanjoll. Tema e bisedës së tyre ishin vendi se ku do të zhvillohet Kupa e Spanjës, si dhe pakënaqësitë sa i përket arbitrimit nga ana e Barcelonës. 

Rreth orës 16:45 të së mërkurës së kaluar, kreu i Federatës Spanjolle erdhi në hotel “NH Alkala” dhe u ul në barin e tij. Ai kërkoi një filxhan çaj, si edhe një tavolinë ku mund të kishte privatësi. Pas pak minutash, aty u shfaq edhe Sandro Rosell, i cili sapo kishte zbritur nga një taksi. Ai ishte vetëm. Sipas burimeve të së përditshmes “AS”, ishte vetë presidenti i katalanasve që kërkoi që takimi të zhvillohej në këtë hotel, që është një nga vendet e preferuara të tij, që përzgjedh prej vitesh kur udhëton me blaugranat. 

Ai, madje mban edhe dhomën e parapëlqyer në katin e 4-tët të ndërtesës. Të dy presidentët patën një takim të përzemërt dhe në prani të rreth 5 klientëve të tjerë në kateteri dhe vendosën që të ndryshonin tavolinë për të tërhequr më pak vëmendjen. Në fund u tërhoqën në zonën e hotelit, e cila është e rezervuar për të ngrënë vaktin e mëngjesit. Aty, ata gjetën privatësinë që kërkonin. 

Në orën 18:30 Villar dhe Rosell e mbyllën takimin, ndërsa një prej kamarierëve u tha atyre se Reali po fitonte 0-1 ndaj CSKA-së. Në atë kohë, Villar i tha presidentit katalanas se nuk ishte më në gjendje që t’i bënte më asgjë më shumë