Bota e ndarë: Messi apo Maradona?


Më i mirë Messi, apo Maradona? Dy ditë më parë Leo shënoi pesë gola në portën e Leverkusenit në Champions League dhe menjëherë pas ndeshjes u rihap debate. Jo vetëm në Spanjë, por edhe në Argjentinë, një tokë e monopolizuar prej 30 vitesh nga Diego.

Në shtypin e Torinos, Marko Ansaldo shkruante: “Messit i mungon edhe një hap më shumë: të bëj të njëjtat gjëra jashtë Barcelonës, apo në një Barcelonë ndryshe nga ajo që flet të njëjtën gjuhë, pa Iniestën, Xavin e Fabregasin. Atje ndihet si në shtëpinë e tij. Ndërsa Maradona fitoi një Botëror i vetëm dhe Napoli i tij ishte larg nga Barça e sotme. Ai ishte frymëzuesi, fantazisti, golashënuesi”. Duket se “Muy”, revista e përjaveshme në Argjentinë ka nisur të hedhë dyshimet pas spektaklit të fundit të “pleshtit”, duke dalë në faqen e parë me titullin: “Më shumë se Diego”.


Pas 7-1 të Barcelonës ndaj Leverkusenin, ku pesë gola u shënuan vetëm nga Leo Messi, menjëherë kanë nisur krahasimet mes tij dhe Diego Armando Maradonës. Për të komentuar këtë krahasim, flet ish-trajneri i Milanit, Arrigo Sacchi, i cili i ka përjetuar nga afër lojën e të dy argjentinasve.

“Diego mund të luante në çdo skuadër dhe ta bënte të veçantë atë. Messi është ylli i futbollit të sotëm, e dashuron këtë lojë dhe e interpreton si profesionist dhe me shumë entuziazëm. Talenti i tij është më pak instiktiv dhe më shumë e fituar pre vitesh nga shkolla e futbollit. Pikërisht aty lidhet në mënyrë perfekte me pjesën tjetër të skuadrës dhe në këtë orkestër të jashtëzakonshme të gjithë shfaqen unikë. Messi është një futbollist që luan në të gjithë fushën dhe gjatë gjithë kohës. Luan me dhe për skuadrën. Edhe te Maradona topi ngjante sikur të ishte pjesë e trupit të tij. Në ndryshim nga Maradona, Mesi nuk ka akoma atë personalitetin e fortë. Ndoshta është më shumë sulmues se Diego, ndoshta më pak gjenial, por e ndihmon më shumë skuadrën. Të dy e duan futbollin, por Leo i respekton më shumë rregullat dhe është më pak “shoëman”. Në çdo rast, të dy do të bëjnë epokë dhe do të lënë gjurmë të mëdha në historinë e vogël të futbollit”.