Kamza kërkon ndaj Apolonisë “dhuratën” e fazës së parë


Kamzalinjtë e trajnerit Mauro de Vekis do të shkojnë në Fier për të mos humbur, pse jo të marrin tripikëshin që lanë javën e katërt

Ndeshja e së mërkurës me Kastriotin tregoi qartë se kamzalinjtë janë të përqendruar vetëm te kampionati, ndonëse janë pjesëmarrës në Kupën e Shqipërisë. Pas një mungese katërmujore, Kamza i është kthyer firores në kampionat, ku të dielën fituan 1-0 me Bylisin. Para kësaj sfide, trajneri De Vekis pohosi se nga dy ndeshjet e radhës në kampionat kërkon nga të besuarit e tij minimumi katër pikë.
Kështu i bie që në Fier kamzalinjtë të kënaqen edhe me një pikë. “I qëndroj fjalës që kam thënë para ndeshjes me Bylisin dhe kam bindje se jemi në rrugën e duhur për ta konkretizuar. Minimumi që kërkoj nga transferta e Fierit është një pikë, por fitorja do të na fustë në rrugën e duhur për të realizuar synimin.
Padyshim që është një ndeshje e vështirë, pasi edhe Apolonia nuk pajtohet me pozitën në renditje. Fitorja me Bylisin erdhi në momentin e duhur dhe shpresoj që do të na shërbejë edhe për sfidën e radhës me Apoloninë,”- u shpreh trajneri i Kamzës, Mauro de Vekis, pas ndeshjes së Kupës me Kastriotin. Në fazën e parë kanë qenë fierakët ata që i kanë befasuar blutë, pasi kanë fituar 1-0 në Kamzë.
Kjo humbje në javën e katër i befasoi kamzalinjtë, të cilët munden veten në këtë sfidë duke i dhuruar tripikë Apolonisë. Kamza pret që nesër në Fier të marrë “dhuratën” që u bëri bardhejeshilëve në fazën e parë. Trajneri De Vekis pohon se ata nuk shkojnë për hakmarrje apo për luftë, por për të luajtur futboll sipas mënyrës së tyre, me shpresën që të marrin maksimumin.
“Çdo ndeshje e nisim për fitore, prandaj këtë gjë do të kërkojmë edhe ndaj Apolonisë. Nuk hyn hakmarrja në këtë mes, pasi ata kanë bërë detyrën në fazën e parë dhe, nëse jemi të zotë, këtë gjë duhet ta bëjmë edhe ne të shtunën,”- pohon trajneri De Vekis.
Zv/trajneri Doku Mbase trajneri italian nuk e ndien shumë atë humbje të fazës së parë, pasi nuk ka qenë në krye të Kamzës, por për zv/trajnerin Bashkim Doku  kjo transfertë kërkon përqendrim maksimal. “ Nëse duam të jemi të qetë për javët në vijim, ndaj Apolonisë të shtunën duhet të marrim thjeshtë atë që lëshuam në fazën e parë. Fierakët nuk i vlersojmë nga pozita që kanë në tabelë.
Themi se duke e pasur të plotë grupin i kemi mundësitë për të dalë me fitore nga Fieri. Në të shkuarën e kemi treguar veten se luajmë mirë edhe jashtë fushës sonë, prandaj e dimë se çfarë kërkojmë ndaj Apolonisë. Një fitore këtë fundjavë është një hap i rëndësishëm në ralizimin e objektivit që kemi, qëndrimin në kategorinë superiore,”- u shpreh për “Sportin shqiptar” zv/trajneri i Kamzës, Bashkim Doku.