
Në prag të transfertës kundër Parmës, trajnerit të Milanit, Masimiliano Alegri, i duhet të “shpikë” repartin e mbrojtjes. Aktualisht ky i fundit është reparti më i infektuar nga dëmtimet dhe skualifikimet. Tre janë futbollistët, të cilët do i mungojnë Alegrit për ndeshjen e së shtunës: Alesandro Nesta, Injacio Abate dhe Filip Mekses. Dëmtimi i Abates - Klubi i Milanit, nëpërmjet faqes zyrtare në internet, bën të ditur se mbrojtësi Injacio Abate ka kryer dje vizitat mjekësore, të cilat kanë nxjerrë në pah një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë. Ky dëmtim do ta mbajë Abaten larg fushave për të paktën dy javë. Italiani nuk do luajë kundër Parmës, Juventusit dhe Romës, por mund të kthehet më 1 prill ndaj Katanias në Sicili. Alternativat – Për transfertën kundër Parmës ekziston mundësia të luajë që nga minuta e parë kolumbiani Mario Jepes, i cili do pozicionohet përkrah Tiago Silvës. Ndërkohë, Daniele Bonera do spostohet në të djathtë, duke zënë kështu vendin e Injacio Abates. Por, duke parë stërvitjen e fundit të formacionit kuqezi, trajneri Masimiliano Alegri ka provuar përgjatë të gjithë asaj seance mbrojtësin Antonini në krahun e djathtë dhe, në vend të tij, Mesbah. Ndërsa dyshja Tiago Silva-Bonera është pozicionuar në qendër. Pra, Alegri po teston vazhdimisht mbrojtësit kuqezi për të gjetur zgjidhjen më të besueshme. Rikthimet - Gjatë seancës së djeshme, në “Milanelo” janë parë të stërviten edhe mesfushorët Klarens Sedorf dhe Aleksandër Merkel, të cilët duket se janë rikuperuar plotësisht nga dëmtimet respektive. Ndërkaq, mesfushori Kevin Princ Boateng është stërvitur për 45 minuta në fushën kryesore dhe më pas i është drejtuar palestrës me shokët e tjerë të skuadrës.